Italia mohon bashkëpunimin me Kievin në Libi: Nuk ishim në dijeni të operacionit, Zelensky nuk na informoi
Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, ka deklaruar se Italia dhe aleatët e saj nuk kishin dijeni për operacionin ushtarak ukrainas të zhvilluar në Bengazi të Libisë. Ai ka kundërshtuar pretendimet e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për koordinim paraprak me partnerët, duke theksuar se Roma nuk ishte informuar dhe nuk kishte marrë pjesë në operacion.
“Askush nuk e dinte se çfarë po bënin ukrainasit në Libi”, tha Antonio Tajani.
“Nuk ka pasur kurrë ndonjë koordinim, askush prej nesh nuk është informuar dhe ajo që tha Zelensky nuk është e vërtetë. Vetë Ministri i Jashtëm ukrainas, në fund të fundit, deklaroi se në të ardhmen do t’i informojnë aleatët”, shtoi kreu i diplomacisë italiane.
Lidhur me përgjimin me dron që shkaktoi vdekjen e dy teknikëve italianë në Kuvajt dje, Tajani theksoi:
“Ky dron, sipas hetimeve kuvajtiane, është prodhuar në Iran. Iranianët thonë se nuk ka ardhur nga territori i tyre, por, siç e dini, të gjithë aleatët e tyre kanë dronë të prodhuar nga Teherani. Hetimet do të kryhen dhe iranianët kanë deklaruar se janë të gatshëm të marrin pjesë në një komitet të posaçëm për të sqaruar rastin, së bashku me italianët dhe kuvajtianët. Do të shohim të gjitha zhvillimet, por është e papranueshme ajo që po u ndodh vendeve të ndryshme të Gjirit, të cilat nuk po marrin pjesë në luftë dhe sulmohen vazhdimisht.”