E premte, 27 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›IZRAEL – Eisenkot: Bisedimet me “Likud” për formimin e qeverisë kanë ngecur

IZRAEL – Eisenkot: Bisedimet me “Likud” për formimin e qeverisë kanë ngecur

TEL AVIV, 27 nëntor /ATSH-DPA/ – Udhëheqësi i opozitës izraelite, Gadi Eisenkot, deklaroi sot se negociatat për formimin e një qeverie të unitetit me partinë “Likud” të kryeministrit në largim, Benjamin Netanyahu, nuk kanë shënuar përparim.

Eisenkot, kreu i partisë së qendrës Yashar, tha në një postim në rrjetin social X se përfaqësuesit e “Likud” nuk kanë pranuar të bëjnë lëshime për çështjet kryesore, përfshirë kërkesën e tij për të mos përfshirë politikanë me qëndrime të vijës së ashpër në qeverinë e re.

Negociatorët e dy partive janë takuar pesë herë gjatë dy javëve të fundit.

Eisenkot akuzoi përfaqësuesit e “Likud” se po zvarrisin negociatat deri në përfundimin e mandatit të tij për formimin e qeverisë, më 6 dhjetor, me synimin për të çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Megjithatë, ai theksoi se është shënuar përparim në bisedimet me forcat e tjera politike.

Sipas tij, janë nënshkruar marrëveshje koalicioni me partinë e ekstremit të djathtë “Israel Beitenu” dhe me partinë e qendrës së majtë, “Demokratët”.

Ai shtoi se po punon edhe me një parti të tretë opozitare për arritjen e një marrëveshjeje.

Një tjetër mundësi është që partitë opozitare, nën drejtimin e Eisenkot, të formojnë qeverinë me mbështetjen e partive ultraortodokse, të cilat deri vonë, bënin pjesë në kampin politik të Netanyahut.

Megjithatë, këto parti kërkojnë përjashtime të gjera nga shërbimi ushtarak për hebrenjtë praktikantë, ndërsa Eisenkot, ish-shef i ushtrisë izraelite, kërkon shërbimin e detyrueshëm ushtarak për të gjithë qytetarët.

Ai ka ngritur gjithashtu mundësinë e formimit të një qeverie të pakicës, e cila do të mbështetej në votat e partive arabe në parlament.

Netanyahu dhe aleatët e tij nuk arritën të ruanin shumicën parlamentare në zgjedhjet e zhvilluara një muaj më parë. /

Lini një koment