FOKUS – OKB: El Niño rrezikon të përkeqësojë krizën ushqimore në Afrikë dhe Amerikën Qendrore
NAIROBI, 27 nëntor /ATSH -DPA/ – Programi Botëror i Ushqimit (WFP) dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) kanë paralajmëruar për ndikimin që fenomeni klimatik El Niño mund të ketë në sigurinë ushqimore në Afrikë dhe Amerikën Qendrore.
Sipas një raporti të publikuar nga dy agjencitë e OKB-së, numri i zonave të prekura nga krizat e urisë është rritur në 16, nga 13 që ishin evidentuar në muajin qershor.
Parashikimet tregojnë se deri në mars të vitit 2027, deri në 3 milionë persona në Zimbabve, 2.6 milionë në Malavi dhe 1.8 milionë në Mozambik mund të përballen me pasiguri të rëndë akute ushqimore.
Situata paraqitet shqetësuese edhe në Amerikën Qendrore. Sezoni i parë i mbjelljeve në të ashtuquajturin Korridori i Thatë i Amerikës Qendrore ishte më i thati i katër dekadave të fundit, ndërsa në shumë zona humbjet e të korrave kaluan 75%.
Vetëm në Guatemalë, rreth 3.2 milionë persona pritet të përballen me pasiguri të rëndë akute ushqimore gjatë periudhës tetor 2026 – shkurt 2027.
Raporti thekson se, përveç fenomenit El Niño, konfliktet e armatosura po kontribuojnë në përkeqësimin e situatës ushqimore në 12 nga 16 zonat e krizës.
Pesë prej tyre janë klasifikuar si zona me shqetësim të veçantë: Sudani, Sudani i Jugut, Somalia, disa rajone të Nigerisë dhe Jemeni.
Situata më kritike paraqitet në Sudan dhe Sudanin e Jugut, ku është identifikuar rreziku i shpërthimit të urisë ekstreme.
Përveç mungesës së ushqimit, popullsitë e prekura përballen edhe me rrezikun e përhapjes së sëmundjeve, veçanërisht në zonat ku fenomeni El Niño intensifikon reshjet sezonale.
Në Somali, organizata humanitare Mjekët pa Kufij (MSF) ka raportuar rritje të rasteve të kolerës dhe sëmundjeve të tjera që shkaktohen nga uji i ndotur.