E premte, 27 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Operacioni “Kufiri 2” në Kosovë, sekuestrohen 136 kg drogë! Dyshime për përfshirjen edhe të një efektivi policie, një tjetër në arrati

Operacioni “Kufiri 2” në Kosovë, sekuestrohen 136 kg drogë! Dyshime për përfshirjen edhe të një efektivi policie, një tjetër në arrati

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka dhënë detaje nga operacioni i koduar “Kufiri 2”, gjatë të cilit janë sekuestruar rreth 136 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar si marihuanë. Në kuadër të aksionit janë ndaluar tre persona, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Operacioni u zhvillua të premten në autostradën “Arbën Xhaferi”, pranë daljes në Doganaj të Kaçanikut, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve.

Detajet e hetimit zbulojnë edhe dyshime për përfshirjen e një zyrtari policor në këtë aktivitet kriminal. Prokuroria bën me dije se ndaj tij po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale.

Sipas hetimeve paraprake, të dyshuarit, shtetas të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, dyshohet se synonin të transportonin lëndën narkotike nga Shqipëria, përmes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, me destinacion përfundimtar Turqinë.

Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet do të vijojnë për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë dhe zbardhjen e plotë të rastit. Brenda afatit ligjor, pritet t’i paraqitet gjykatës kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve.

Lini një koment