Pesë vjet në krye të FSK-së, Bashkim Jashari vlerësohet me medalje për shërbimin ndaj Kosovës
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i ka ndarë Medaljen “Shërbim i Shquar” Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, në shenjë vlerësimi për shërbimin dhe kontributin e tij në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes së vendit.
Ndarja e medaljes është bërë në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Forcës.
Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci ka vlerësuar rrugëtimin dhe karrierën ushtarake të Jasharit, duke kujtuar edhe pjesëmarrjen e tij në luftimet e 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në Prekaz, ku ishte ndër të mbijetuarit e familjes Jashari dhe luftoi përkrah Adem dhe Hamëz Jasharit.
Pas luftës, Jashari vazhdoi shërbimin në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, ndërsa me themelimin e FSK-së shërbeu si Inspektor i Përgjithshëm. Në nëntor të vitit 2021, ai u emërua Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Gjatë pesë viteve në këtë detyrë, Gjenerallejtënant Jashari udhëhoqi procese me rëndësi historike për transformimin dhe fuqizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe për ngritjen e kapaciteteve të saj mbrojtëse dhe ndërveprueshmërisë me forcat e vendeve aleate. Me punën dhe përkushtimin e tij, ai dha kontribut të çmuar edhe në thellimin e marrëdhënieve të Kosovës me partnerët në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Maqedonci.
Në fund, ministri e ka falënderuar Jasharin për bashkëpunimin dhe shërbimin e tij ndaj Kosovës.