E premte, 27 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›Gonxhja: Balerinët e Shkollës së Baletit prezantojnë “Arrëthyesin” dhe vallet popullore në skenat e Majorkës

Gonxhja: Balerinët e Shkollës së Baletit prezantojnë “Arrëthyesin” dhe vallet popullore në skenat e Majorkës

Festa e Flamurit do të marrë një dimension të veçantë artistik këtë vit për Shkollën e Baletit në Tiranë, pasi balerinët do të performojnë në Majorka të Spanjës.

Nxënësit e Shkollës së Baletit do të përcjellin në skenën e Teatre Principal d’Inca, në Majorka të Spanjës, kulturën shqiptare përmes baletit klasik dhe valleve tradicionale.

Më 28 nëntor, në Ditën e Pavarësisë, balerinët e rinj do të ngjiten në skenën e Teatre Principal d’Inca, duke çelur një turne artistik me baletin “Arrëthyesi” dhe një repertor të zgjedhur me valle popullore shqiptare.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, tha se, rrugëtimi artistik do të vijojë edhe në dy qytete të tjera të Majorkës, Manacor dhe Santa Maria, më 30 nëntor dhe 1 dhjetor.

“Përmes këtij prezantimi, artistët e rinj shqiptarë do të sjellin në skenat spanjolle jo vetëm bukurinë e baletit, por edhe ritmet, kostumet dhe traditat që përfaqësojnë identitetin kulturor shqiptar”, u shpreh ministri Gonxhja.

Turneu organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, përmes programit CulturALB, në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë në Spanjë.

Lini një koment