E mërkurë, 20 Maj 2026
54°F Detroit
BallinaKosovaZgjedhje të parakohshme/ LDK-ja zyrtarizon Vjosa Osmanin, si kandidate për presidente

Zgjedhje të parakohshme/ LDK-ja zyrtarizon Vjosa Osmanin, si kandidate për presidente

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka zyrtarizuar marrëveshjen për garim të përbashkët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit me ish-presidenten Vjosa Osmani, gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, konfirmoi se LDK-ja e ka mbështetur propozimin e tij që Osmani të jetë bartëse e listës zgjedhore dhe kandidatja për presidente. Vetë Abdixhiku do të jetë kandidat për kryeministër.

Abdixhiku tha se vendimi është marrë unanimisht në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, duke shtuar se në listën zgjedhore të partisë do të përfshihen edhe 19 emra të tjerë të propozuar nga Osmani.

Në ditët e fundit, Osmani ka konfirmuar se pjesë e rrugëtimit të saj politik do të jenë figura si: Fahrie Hoti, aktiviste e njohur kryesisht për përfaqësimin e grave të Krushës së Madhe pas luftës së Kosovës; Jeta Statovci, ish-deputete e Guxo-s dhe ndër më të votuarat në listën e LVV-së në zgjedhjet e fundit; Albena Reshitaj, ish-ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe ish-deputete e AAK-së.

Para largimit, Osmani kishte qenë një nga figurat më të votuara të LDK-së dhe, në karrierën e saj politike, ka ushtruar funksione të rëndësishme institucionale, përfshirë atë të presidentes dhe deputetes.

Raportet e saj me strukturat e atëhershme të LDK-së u përkeqësuan pas zgjedhjeve të vitit 2019 dhe rrëzimit të Qeverisë Kurti I.

Në zgjedhjet e vitit 2021, Osmani garoi në koalicion me Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa më pas formoi subjektin e saj politik, Lista Guxo.

Pas fitores së zgjedhjeve, ajo u zgjodh presidente e Kosovës dhe e ushtroi mandatin deri në përfundim, por mosmbështetja për një mandat të dytë nga LVV-ja prishi raportet mes tyre.

Analisti Belgzim Kamberi nga Instituti “Musine Kokalari” e ka cilësuar afrimin Osmani-LDK si “risinë kryesore” të këtyre zgjedhjeve, duke vlerësuar se efekti elektoral i saj mund ta forcojë dukshëm listën e LDK-së.

Tri ditë para përfundimit të afatit për dorëzimin e listave me kandidatët për deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, partitë politike në Kosovë kanë intensifikuar negociatat dhe finalizimin e ofertave zgjedhore.

Kështu, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), të mbajtur gjithashtu të shtunën, partia në pushtet zyrtarizoi edhe një herë unanimisht Albin Kurtin si kandidat për kryeministër.

Lini një koment