E mërkurë, 20 Maj 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaEkskluzive, del foto e autorit të vrasjes në Sarandë – Tv Klan

Ekskluzive, del foto e autorit të vrasjes në Sarandë – Tv Klan

Personi që shihni në foto është L.T., autori i dyshuar i vrasjes së 66-vjeçarit Rexhep Ismaili në Qafë Gjashtë të Sarandës, mbrëmjen e së enjtes. 37-vjeçari i shpallur në kërkim nga policia, qëlloi me plumb në kokë Ismailin në ambientet e lokalit të tij, pas një konflikti me sende të forta.

Hetimet zbuluan se shkak i përplasjes dyshohet të jetë bërë një konflikt pronësie, mes K.V., që mbeti i plagosur, dhe mikut të viktimës, V.R.

Ky i fundit ndodhej në lokalin e Rexhep Ismailit, së bashku me disa persona të tjerë, kur 31-vjeçari Vogli, i shoqëruar me 5 persona të tjerë, mes të cilëve edhe autori, ka shkuar për t’u konfliktuar.

Teksa situata ka agravuar, viktima ka hyrë në ambientet e lokalit në pronësi të tij dhe ka dalë duke qëlluar me kallashnikov.

Nga të shtënat dyshohet se ka mbetur i plagosur K.V., ndërsa viktimës i është kundërpërgjigjur Lulzim Tabaku, i cili e ka qëlluar në kokë duke e lënë të vdekur në vend.

Krahas autorit, policia ka shpallur në kërkim edhe 4 persona të tjerë që shoqëronin K.V., si dhe ka vënë në hetim vëllain e viktimës, pasi dyshohet se hoqi nga vendngjarja armën tip kallashnikov që përdori Rexhep Ismaili.

Deri në këtë fazë të hetimit, nga verifikimet e kryera dhe dëshmitë e personave të përfshirë, policia dhe prokuroria dyshojnë se konflikti mes V.R. dhe K.V. ka nisur për një beach bar në zonën e plazhit.

Tv Klan

/tvklan.al

Lini një koment