E premte, 15 Maj 2026
54°F Detroit
BallinaKronikaAksident në I-94 : shoferi i dehur përplaset me makinën e policisë, plagoset një efektive

Aksident në I-94 : shoferi i dehur përplaset me makinën e policisë, plagoset një efektive

Një aksident i rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të së hënës në autostradën I-94 në Michigan, ku një shofer i dyshuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur u përplas me një automjet të Policisë së Shtetit të Michiganit (MSP), duke lënë të plagosur një efektive.

Sipas autoriteteve, ngjarja ndodhi rreth orës 1:10 të mëngjesit në krahun perëndimor të I-94, pranë Merriman Road në Romulus. Efektivja e policisë ishte duke hetuar një aksident tjetër dhe ndodhej brenda automjetit të saj, me dritat emergjente dhe projektorin të ndezur.

Në ato momente, një drejtues mjeti që po drejtonte një automjet tip Lincoln MKZ humbi kontrollin dhe u përplas me dy automjete, përfshirë edhe makinën e policisë.

Për shkak të përplasjes së fortë, efektivja u bllokua brenda automjetit dhe u desh ndërhyrja për ta nxjerrë prej tij. Ajo u transportua menjëherë në spital me plagë që fatmirësisht nuk rrezikojnë jetën. Autoritetet konfirmuan se nuk pati persona të tjerë të lënduar në këtë incident.

Shoferi 32-vjeçar që shkaktoi aksidentin shfaqi shenja të forta dehjeje dhe u arrestua nga policia. Ai u dërgua në spital për t’iu nënshtruar analizave të gjakut për të përcaktuar nivelin e alkoolit në organizëm.

Zyrtarët e Policisë së Shtetit të Michiganit apeluan për kujdes më të madh nga drejtuesit e mjeteve.

“Ky aksident është një kujtesë për dy gjëra: së pari, kur shihni automjete emergjence në anë të rrugës, duhet të ulni shpejtësinë dhe të lëvizni në një korsi tjetër. Së dyti, nuk ka asnjë arsye për të drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Asnjëherë,” deklaroi togeri Mike Shaw nga MSP.

Autoritetet vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit.

Lini një koment