Mashtrim prej mbi 1.1 milion dollarësh me ndihma ushqimore në Michigan, çift nga Detroit pranon fajësinë
Një çift nga Detroit është vënë në qendër të një skeme të madhe mashtrimi me ndihma ushqimore, që sipas autoriteteve federale kap vlerën e të paktën 1.1 milion dollarëve. Lajmi bëhet i ditur sipas clickondetroit.com.
Kirk Woodley, 34 vjeç, dhe partnerja e tij Chantel Peavy, 31 vjeçe, janë akuzuar për disa vepra penale, përfshirë mashtrim me kuponë ushqimorë, mashtrim me postë dhe internet, konspiracion dhe vjedhje të rënduar identiteti. Të dy kanë pranuar fajësinë për disa nga akuzat: Woodley për konspiracion dhe vjedhje identiteti, ndërsa Peavy për konspiracion.
Sipas hetimeve federale, skema ka nisur që në vitin 2015 dhe ka vazhduar deri në vitin 2024. Çifti dyshohet se ka përdorur të dhëna personale të vjedhura nga dhjetëra persona në shtete të ndryshme të SHBA-së, për të aplikuar në mënyrë të paligjshme për përfitime nga programi SNAP në Michigan.
Hetimi ndaj tyre filloi në vitin 2016 dhe zbuloi se aplikimet për ndihma ushqimore bëheshin në emër të viktimave që në shumë raste nuk kishin asnjë lidhje me shtetin e Michiganit. Madje disa prej tyre deklaruan se nuk kishin jetuar apo vizituar kurrë këtë shtet.
Autoritetet zbuluan gjithashtu se Woodley dhe Peavy rekrutonin persona të tjerë për të shitur kartat EBT të përfituara në mënyrë të paligjshme. Një dëshmitar ka pranuar se blinte nga 2 deri në 24 karta në muaj nga Woodley, të cilat më pas i shiste tek të tjerë, duke i kthyer këtij të fundit rreth 100 dollarë për kartë.
Provat përfshijnë edhe pamje nga kamerat e sigurisë, ku çifti shihet duke përdorur karta EBT në dyqane të ndryshme në zonën e Detroitit, për blerje që arrinin qindra dollarë, përfshirë edhe sasi të mëdha pijesh energjike.
Sipas hetuesve, në banesën e tyre janë gjetur numra kartash EBT në emra të ndryshëm dhe dokumente zyrtare të dërguara për persona të tjerë, çka forcon dyshimet për një rrjet të organizuar mashtrimi.
Woodley pritet të dalë në gjykatë federale në prill dhe më pas në maj për seancën e pranimit të fajësisë, ndërsa Peavy do të dënohet në qershor. Të dy rrezikojnë deri në 20 vite burg, gjoba të mëdha dhe periudhë mbikëqyrjeje pas lirimit.
Programi SNAP, i njohur gjerësisht si programi i kuponëve ushqimorë, është krijuar për të ndihmuar familjet me të ardhura të ulëta, duke u financuar nga Departamenti Amerikan i Bujqësisë dhe administruar në nivel shtetëror. Ky rast, sipas autoriteteve, përbën një nga abuzimet më të mëdha të zbuluara në Michigan në vitet e fundit.