Përjashtohet nga lista e LDK-së, reagon Xhavit Ukaj
Xhavit Ukaj ka reaguar pasi nuk është përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për zgjedhjet e 7 qershorit.
Në një deklarim publik, ai ka thënë se megjithëse është propozuar nga Dega e LDK-së në Prizren dhe ka marrë mbështetje unanime, nuk është lejuar të jetë pjesë e listës së kandidatëve.
“Nuk mu lejua të jem kandidat për deputet”, ka deklaruar Xhavit Ukaj, duke shtuar se vendimi përjashtues, sipas tij, nuk përkon me kontributin e tij shumëvjeçar në parti.
Ukaj ka thënë se ka qenë gjithmonë aktiv në LDK pa interesa personale dhe në periudha të vështira për partinë, duke theksuar se ndjehet i zhgënjyer me mënyrën e trajtimit të tij.
Ai gjithashtu ka përmendur se në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm ka votuar kundër që Vjosa Osmani të jetë bartëse e listës, duke sqaruar se nuk ka qenë kundër bashkimit në parim, por për mënyrën si është realizuar procesi.
Sipas tij, bashkimi brenda LDK-së duhet të bazohet në respektimin e figurave që kanë kontribuar ndër vite në parti.
Megjithatë, Ukaj ka theksuar se nuk largohet nga LDK dhe nuk e sheh veten jashtë saj, duke thënë se do të vazhdojë të mbështesë partinë edhe në këtë proces zgjedhor.
“LDK për mua nuk është interes i momentit, por bindje, identitet dhe shtëpi politike”, ka deklaruar ai, duke shtuar se do të angazhohet për njerëzit që, sipas tij, kanë qenë gjithmonë besnikë ndaj partisë.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 7 qershor, ndërsa partitë kanë finalizuar tashmë listat e tyre me kandidatët për deputetë.