“Koha për një shqiptar në Kongresin Amerikan” – Robert Lulgjuraj shpall kandidaturën në Michigan
Prokurori shqiptaro-amerikan synon të përfaqësojë Distriktin e 10-të, duke sjellë në politikën amerikane historinë e sakrificës dhe rrënjëve shqiptare
“Ka ardhur koha për një shqiptar në Kongresin Amerikan”, është shprehur me bindje Robert Lulgjuraj, biri i Malësisë me rrënjë të thella shqiptare, që tashmë synon të hyjë në historinë politike të Shteteve të Bashkuara.
Prokurori shqiptaro-amerikan dhe anëtar i Partisë Republikane ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për Kongresin e SHBA-së, duke synuar të përfaqësojë Distriktin e 10-të të Michigan-it në zgjedhjet e vitit 2026.
Familja Lulgjuraj e ka origjinën nga viset shqiptare të Malit të Zi. Gjyshërit dhe prindërit e tij emigruan në Amerikë në vitin 1960, për t’i shpëtuar komunizmit dhe persekutimit fetar. Ata u vendosën në Detroit, ku filluan një jetë të re, të mbushur me punë të ndershme dhe sakrifica, një histori e njohur për shumë familje shqiptare të asaj kohe.
Gjyshja e Robertit punonte si pjatalarëse, ndërsa nëna e tij si kameriere, një profesion që e ushtron ende sot. Ndërkohë, gjyshi i tij ishte punëtor në industrinë automobilistike, ndërsa babai punon në mirëmbajtje – një tablo që pasqyron përpjekjen e vazhdueshme të një familjeje emigrantësh për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.
“Gjyshërit e mi erdhën për t’i shpëtuar komunizmit, persekutimit fetar dhe tiranisë. Katolicizmi dhe mundësia për të ushtruar fenë e tyre ishin një pjesë e madhe e arsyes pse ata emigruan, si dhe mundësia për punë. Gjyshi im ishte punëtor në Chrysler në Detroit, dhe gjyshja ime punonte si pjatalarëse. Ndërsa mamaja ime, edhe tani që po flasim, punon si kameriere, dhe babai im është punëtor mirëmbajtjeje. Prindërit e mi sakrifikuan pa masë për mua, dhe për këtë arsye unë dua të jap diçka në këmbim – për t’i falënderuar ata, për të falënderuar vendin tim dhe për të shërbyer komunitetit tim”, është shprehur Lulgjuraj në një intervistë të mëparshme.
Kandidatura e tij shihet si një moment i rëndësishëm për komunitetin shqiptaro-amerikan, veçanërisht në Michigan, ku diaspora shqiptare ka një prani të fortë dhe një histori të gjatë angazhimi në jetën ekonomike dhe shoqërore.