E mërkurë, 20 Maj 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaSocialistë dhe demokratë bashkohen për integrimin, zbardhet projektrezoluta që pritet të miratohet sot në Kuvend

Socialistë dhe demokratë bashkohen për integrimin, zbardhet projektrezoluta që pritet të miratohet sot në Kuvend

Komisioni për Çështjet Evropiane dhe Punët e Jashtme ka miratuar projektrezolutën “Për procesin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, dokument i cili pritet të kalojë për votim në seancën plenare të 14 majit 2026.

Rezoluta përcakton angazhimet politike dhe teknike të Kuvendit, si edhe detyrimet që i ngarkohen qeverisë në kuadër të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Në draftin e dakordësuar parashikohen disa prioritete kryesore për institucionin e Kuvendit, mes tyre avancimi i reformës zgjedhore përmes zbatimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.

Po ashtu, dokumenti kërkon forcimin e mbikëqyrjes parlamentare ndaj ekzekutivit dhe institucioneve të pavarura, me fokus te transparenca dhe llogaridhënia.

Në fushën e luftës kundër korrupsionit, Kuvendi angazhohet të mbështesë institucionet ligjzbatuese për konsolidimin e rezultateve kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.

Rezoluta ndalet edhe te liria e medias, duke parashikuar garantimin e kushteve profesionale për gazetarët dhe monitorimin e masave kundër dezinformimit.

Dokumenti i miratuar i ngarkon Këshillit të Ministrave një sërë detyrimesh konkrete në funksion të procesit të integrimit.

Qeveria do të duhet të raportojë periodikisht mbi ecurinë e përmbushjes së piketave për të gjithë grupkapitujt negociues, me fokus të veçantë te Grupkapitulli I “Themelorët”.

Rezoluta kërkon gjithashtu dedikimin e fondeve buxhetore për reformat e integrimit dhe përafrimin e ligjit për prokurimet publike me standardet e Bashkimit Evropian, me synim rritjen e konkurrencës dhe transparencës.

Në administratën publike, dokumenti nënvizon zbatimin e kriterit të meritës në rekrutime dhe rritjen e efikasitetit të strukturave negociuese.

Një tjetër pikë lidhet me mbrojtjen e mjedisit, ku kërkohet ruajtja e zonave të mbrojtura në përputhje me standardet evropiane.

Projektrezoluta përfshin edhe një klauzolë për bashkëpunimin politik mes palëve.

Mazhoranca angazhohet të garantojë kushtet për pjesëmarrjen e opozitës në jetën parlamentare, ndërsa opozita zotohet për pjesëmarrje të plotë në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

Të dyja palët kanë rënë dakord për forcimin e dialogut politik dhe kundërshtimin e çdo nisme që, sipas dokumentit, devijon nga kursi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Sipas projektrezolutës, progresi i vendit në procesin e integrimit do të vlerësohet mbi bazën e meritës dhe arritjeve të verifikueshme, në përputhje me raportet e Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian për vitin 2026.

Lini një koment