E martë, 3 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Janinë, policia greke bllokon automjetin me 167 kg kanabis, ndalohet një shtetas shqiptar

Janinë, policia greke bllokon automjetin me 167 kg kanabis, ndalohet një shtetas shqiptar

Policia greke e Janinës ka bllokuar ditën e sotme një automjet me një ngarkesë prej 167 kg kanabis ndërsa ka ndaluar një shtetas shqiptar. Sipas mediave greke aksioni antidrogë është zhvilluar nga oficerët e policisë të Departamentit të Narkotikëve.

Sipas policisë greke ndjekja e mjetit me të cilin dyshohej se transportohej lënda narkotike ka nisur pas një sinjali kontrolli policor. Si pjesë e kontrolleve të synuara për të parandaluar importimin e drogës në vend, oficerët e policisë gjetën një makinë private me targa të huaja në një zonë të Janinës, e cila drejtohej nga personi i arrestuar. Gjatë përpjekjes për të kontrolluar mjetin, drejtuesi nuk iu përmbajt shenjave të ndalimit të policisë dhe u përpoq të largohej, duke ecur me shpejtësi dhe duke kryer manovra të rrezikshme, ndërsa ka lëvizur në drejtimin e kundërt të trafikut.

Policia greke ndoqi mjetin dhe arriti ta ndalonte atë pak kohë më vonë, duke vazhduar me arrestimin e drejtuesit të mjetit. Gjatë kontrollit brenda makinës, u gjetën dhe u konfiskuan 28 pako me kanabis të papërpunuar, me një peshë totale prej 167 kilogramësh e 200 gramë. Hetimi i policisë zbuloi gjithashtu se automjeti kishte targa të falsifikuara, ndërsa drejtuesi i tij nuk i kishte plotësuar formalitetet e kërkuara për hyrjen dhe qëndrimin e tij të ligjshëm në Greqi.

Pas ndalimit mbi drejtuesin e automjetit rëndojnë akuzat penale për trafik droge, drejtim të rrezikshëm të mjetit, falsifikim dhe shkelje të ligjit për të huajt. Makina u sekuestrua, ndërsa personi i arrestuar pritet të dërgohet në Prokurorinë e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Janinës.

Lini një koment