Siguria kibernetike, SHBA: Shqipëria, hapa mbresëlënës në transformimin digjital
Zëvendës Shefja e Misionit në Detyrë të SHBA-së në vendin tonë, Kathryn Hammond, vlerësoi përparimin e Shqipërisë në transformimin digjital dhe nënvizoi rëndësinë e mbrojtjes së infrastrukturës kritike kundër kërcënimeve kibernetike.
“Siguria kibernetike tashmë është e pandashme nga rritja ekonomike dhe siguria kombëtare. Siç e ka bërë të qartë Presidenti Trump, mbrojtja e infrastrukturës sonë digjitale nga kërcënimet e huaja nuk është vetëm politikë e mirë – është thelbësore për sovranitetin dhe sigurinë. Shqipëria ka bërë hapa mbresëlënës në transformimin digjital, nga qeverisja elektronike dhe modernizimi financiar deri te infrastruktura energjetike”, tha Hammond, në një aktivitet që prezantonte zgjidhje amerikane të sigurisë kibernetike
Ajo vuri në dukje se Shqipëria ka bërë hapa mbresëlënës në transformimin digjital, ndërsa shtoi se progresi kërkon përgjegjësi dhe se këto sisteme duhet të mbrohen me teknologjinë më të besueshme dhe më të avancuar në dispozicion.
“Por progresi kërkon përgjegjësi. Këto sisteme duhet të mbrohen me teknologjinë më të besueshme dhe më të zhvilluar në dispozicion”, tha ajo.