Avokati i Popullit: Prioritet, qytetarët e burgosur që s’kanë zë! Të burgosurit e njohur kanë ‘avokati publike’
Avokati i Popullit, Endri Shabani nga Pogradeci në një deklaratë për mediat ka folur lidhur me ankesat e bëra pranë institucionit të Avokatit të Popullit nga qytetarët e burgosur. Ai shtoi se edhe pse vëmendja është kryesisht tek të burgosurit e famshëm, ka prioritet qytetarët që vuajnë nga probleme shëndetësore dhe jetojnë në kushte çnjerëzore.
Ai theksoi se vetëm në katër muajt e fundit kanë humbur jetën pesë persona në burgje, dy prej tyre nga arresti kardiak. Sipas tij nga monitorimet e bëra në burgje, është konstatuar raste kur të burgosurit kanë pritur deri në dy muaj për të takuar një kardiolog.
Shabani shtoi se vëmendja politike dhe mediatike shkon te të burgosurit e njohur dhe të zhurmshmit. Sipas tij ata kanë jo vetëm avokatë privatë, por edhe një lloj ‘avokatie publike’, ndërsa qytetarët e zakonshëm mbeten pa zë.
“Unë gjithmonë i dëgjoj personat që kanë nevojë, por jam gjithmonë i kujdesshëm që përparësi të kenë ata që kanë më shumë nevojë. Në krye të listës, për mua, janë njerëzit që nuk kanë zë.
E di që vëmendja është kryesisht te ata që janë burgosur dhe janë të famshëm, por për mua prioritet janë qytetarët që mbahen në burg pa një vendim përfundimtar; qytetarët që vuajnë nga probleme shëndetësore dhe jetojnë në kushte çnjerëzore; qytetarët e moshuar që mbahen në burg në kushte të papranueshme, shpesh edhe pa një vendim përfundimtar.
Për mua, prioritet është të flasim më shumë për ata që nuk kanë zë.
Pa dyshim, qytetarët e burgosur gjatë pushtetit të Ilir Metës apo të çdo pushteti tjetër kanë bërë ankesa pranë institucionit të Avokatit të Popullit dhe janë trajtuar njësoj si të gjithë të tjerët. Por për mua, prioritet nuk janë të burgosurit e famshëm. Prioritet janë qytetarët që përmenden në raportet zyrtare të organizatave ndërkombëtare dhe shqiptare, raporte që mund t’i lexojë kushdo.
Fokusi im janë kushtet çnjerëzore në të cilat mbahen sot qytetarët me probleme shëndetësore në institucionet e vuajtjes së dënimit, në Durrës, Lezhë apo kudo tjetër. Persona që kanë probleme serioze shëndetësore, që mbahen në kushte çnjerëzore, pa trajtim të duhur mjekësor dhe me vonesa të pajustifikueshme në aksesin ndaj shërbimeve shëndetësore.
Vetëm në katër muajt e fundit kanë humbur jetën pesë persona në burgje. Pesë. Dy prej tyre nga arresti kardiak.
Nga monitorimet që kemi bërë në burgje, kemi konstatuar raste kur të burgosurit kanë pritur deri në dy muaj për të takuar një kardiolog. Në raste të tilla, dy muaj mund të jenë diferenca mes jetës dhe vdekjes.
Ky është prioriteti social. Dhe kjo ndodh ndërkohë që shumë prej tyre janë ende të hetuar, pa një vendim përfundimtar. Kjo është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. Është një praktikë që vazhdon në shumë institucione të vuajtjes së dënimit.
Kjo duhet të ndryshojë, sepse jemi trefish mbi mesataren europiane. Në Europë, më pak se 25% e personave në burgje janë të paraburgosur. Pjesa dërrmuese janë persona të dënuar me vendim të formës së prerë.
Ne jemi fokusuar pikërisht te kjo problematikë. Fatkeqësisht, vëmendja politike dhe mediatike shkon te të burgosurit e njohur, që janë pakicë, por janë edhe më të zhurmshmit. Fatkeqësisht, ata kanë jo vetëm avokatë privatë, por edhe një lloj ‘avokatie publike’, ndërsa qytetarët e zakonshëm mbeten pa zë”, tha ai ndër të tjera.