Lushtaku: I përgjigjem drejtësisë dhe respektoj institucionet e Republikës
Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, është duke u intervistuar nga organet e drejtësisë pas sulmit të djeshëm të kryetarit të degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, Hysni Mehani, e ku dyshohet se është i përfshirë.
Lushtaku, pak para nisjes së intervistimit, ka ndarë pamje ku një numër i madh i qytetarëve janë mbledhur për ta mbështetur.
Ai thotë se i përgjigjet Republikës, kombit dhe Zotit, duke theksuar se gjithmonë i është përgjigjur drejtësisë dhe institucioneve të shtetit.
Megjithatë, Lushtaku krahasoi vetën me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për të cilin thotë se “nuk respekton as Policinë e as Prokurorinë” dhe se “Kushtetutën e shkel sa herë i konvenon politikisht”.
“Unë i përgjigjem Republikës, kombit dhe Zotit. Si gjithmonë, edhe sot i përgjigjem drejtësisë. I respektoj institucionet për të cilat unë dhe bashkëluftëtarët e mi kemi luftuar dhe kemi dhënë gjithçka. Për dallim nga Albin Kurti, i cili nuk respekton as Policinë e as Prokurorinë, që Kushtetutën e shkel sa herë i konvenon politikisht, unë i respektoj dhe ju përgjigjem gjithmonë institucioneve të Republikës. Bëj thirrje për qetësi dhe maturi ndërsa shpresoj që Prokuroria të mos instrumentalizohet, por ta kryejë punën e vet në mënyrë të pavarur, pa ndikime dhe pa presion!”, ka shkruar Lushtaku.
Tutje, Lushtaku bëri thirrje për qetësi dhe maturi, ndërsa shprehu shpresën që Prokuroria të mos instrumentalizohet politikisht.