E mërkurë, 20 Maj 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaMoti i keq përfshin disa zona të vendit

Moti i keq përfshin disa zona të vendit

Stuhi, reshje intensive dhe erë e fortë kanë përfshirë ditën e sotme disa qytete të vendit, duke shkaktuar probleme lokale në qarkullim, kryesisht në Durrës.

Stuhia që përfshiu pak minuta më parë zonën e Librazhdit nuk ka sjellë probleme në aksin kombëtar Librazhd-Përrenjas. Pavarësisht reshjeve, nuk raportohen vështirësi në qarkullimin e automjeteve.

Ndërkohë, autoritetet bëjnë me dije se janë marrë masa për mirëmbajtjen e aksit rrugor dhe menaxhimin e trafikut.

Edhe qyteti i Gjirokastrës është përfshirë gjatë ditës së sotme nga reshje shiu me intensitet të lartë, të shoqëruara me erë të fortë. Për shkak të pamjes së kufizuar për drejtuesit e automjeteve, moti i keq ka krijuar vështirësi në qarkullimin në disa akse kombëtare. Megjithatë, deri tani nuk raportohen probleme të theksuara për banorët.

Probleme më të dukshme janë regjistruar në Durrës, ku era e fortë dhe reshjet intensive kanë krijuar vështirësi në qarkullim. Në zonën e Plepave, disa pemë janë rrëzuar si pasojë e erës së fortë, duke bllokuar një segment të rrugës dytësore pranë rrethrrotullimit.

Në vendngjarje kanë ndërhyrë shërbimet përkatëse për largimin e pemëve dhe rikthimin e normalitetit në qarkullim. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes.

Ndërkohë, reshje intensive janë regjistruar edhe në Shkodër, por pa shkaktuar probleme serioze për qarkullimin rrugor.

Lini një koment