E mërkurë, 20 Maj 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaPalokastra e Gjirokastrës po boshatiset, ndërsa emigracioni po largon banorët vit pas viti

Palokastra e Gjirokastrës po boshatiset, ndërsa emigracioni po largon banorët vit pas viti

Emigracioni dhe largimi i banorëve po zbrazin çdo ditë e më shumë fshatin Palokastër në zonën e Gjirokastrës. Rrugët janë thuajse të boshatisura, ndërsa në këtë fshat tashmë kanë mbetur kryesisht të moshuarit.

Banorët tregojnë se të rinjtë dhe familjet janë larguar prej kohësh drejt emigracionit, në kërkim të një jete më të mirë, duke lënë pas vendlindjen dhe kujtimet e saj.

“Tani kemi ngelur burrë e grua, pleq. Jo se nuk na duan fëmijët. Kam një djalë dhe dy vajza në emigrim. Vijnë e na shikojnë, por vetmia nuk është e mirë”, tha banorja.

Për të moshuarit që kanë mbetur, përditshmëria shoqërohet me mungesën e zërave dhe gjallërisë që dikur karakterizonte jetën në fshat.

“Çfarë të bëjmë, mirë ose keq, këtë fat kemi. Fshati ka qenë plot dikur, por tani të gjithë ikën. Çfarë të bëjnë këtu? Mbetëm vetëm ne pleqtë”, shprehet e moshuara.

Fenomeni i emigracionit prej vitesh po sjell pasoja të ndjeshme në fshatrat e jugut të vendit, duke krijuar probleme sociale dhe ekonomike. Palokastra është vetëm një nga shumë fshatra që po përjetojnë këtë realitet, ku heshtja po zë vendin e jetës së dikurshme komunitare.

Lini një koment