E hënë, 18 Maj 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaBegaj takon Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes: Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor, kyç për sigurinë rajonale

Begaj takon Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes: Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor, kyç për sigurinë rajonale

Presidenti Bajram Begaj priti sot në një takim Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen që po zhvillohet në Kolegjin e Mbrojtjes dhe Sigurisë të Forcave tona të Armatosura.

Presidenti Begaj përgëzoi Kolegjin e Mbrojtjes dhe Sigurisë për zhvillimin e këtij kursi, teksa vlerësoi frymën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit, ndërtimin e besimit dhe krijimin e lidhjeve midis përfaqësuesve të profesionistëve civilë dhe ushtarakë nga agjenci dhe vende të ndryshme.

Bashkëbisedimi u fokusua në temat që lidhen me zhvillimet gjeopolitike, sigurinë dhe rëndësinë e bashkëpunimit midis partnerëve dhe aleatëve, siç përfaqëson përbërja e këtij kursi.

Presidenti i Republikës, në përgjigje të interesimit të anëtarëve të Kursit të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes, theksoi rëndësinë që ka për Shqipërinë stabiliteti dhe siguria në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kreu i Shtetit theksoi se në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pavarësisht progresit të madh drejt integrimit Euroatlantik, zhvillimet politike janë komplekse.

“Në kontekstin e dinamikës gjeopolitike dhe konflikteve ndërkombëtare, Ballkani Perëndimor ka një rëndësi strategjike për Aleancën”, vlerësoi Kreu i Shtetit. Në këtë aspekt, një çështje e rëndësishme është Kosova.

Presidenti nënvizoi angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare për integrimin e Kosovës, veçanërisht për shtimin e njohjeve të saj, anëtarësimin e saj në NATO, si dhe pjesëmarrjen në misionet e Aleancës si një akt që i shërben forcimit të sigurisë në rajon.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve të sigurisë kombëtare, ushtarake shqiptare dhe vendeve aleate e partnere nga Bullgaria, Greqia, Turqia, Italia, Hungaria, Kroacia, Kosova, Polonia dhe Jordania, të cilët janë pjesë e një prej programeve më të rëndësishme që ofron sistemi arsimor ushtarak shqiptar.

Lini një koment