Tuesday, 5 May 2026
54°F Detroit
BallinaKomuniteti115-vjetori i Kryengritjes së Malësisë së Madhe përkujtohet në Michigan nga komuniteti shqiptar ( Video)

115-vjetori i Kryengritjes së Malësisë së Madhe përkujtohet në Michigan nga komuniteti shqiptar ( Video)

Në një atmosferë festive dhe me ndjenja të thella atdhedashurie, Komuniteti Katolik Shqiptar i Kishës së Shën Palit në Michigan organizoi mbrëmjen përkujtimore me rastin e 115-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe të vitit 1911. Aktiviteti u zhvillua mbrëmjen e së shtunës, më 11 prill 2026, duke mbledhur bashkë dhjetëra anëtarë të komunitetit shqiptar nga zona të ndryshme të Michigan-it.

Mbrëmja u konceptua si një ndërthurje mes historisë, reflektimit dhe kulturës, duke rikthyer në kujtesë një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare. I ftuar i veçantë ishte Ambasadori Zef Mazi, i cili kishte ardhur posaçërisht nga Vjena për të marrë pjesë në këtë përvjetor, duke nderuar me praninë e tij komunitetin shqiptar në diasporë.

Programi artistik solli një dimension emocional dhe identitar të veçantë për të pranishmit. Këngëtari i njohur i muzikës së trevave veriore, Albert Abedini, i shoqëruar nga muzikanti Erind Emiri, interpretuan këngë tradicionale që lidhen ngushtë me historinë dhe shpirtin e Malësisë së Madhe, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe bashkuese.

Në qendër të aktivitetit ishte përkujtimi i Kryengritjes së Malësisë së Madhe të vitit 1911, një moment kyç në historinë shqiptare që i parapriu drejtpërdrejt shpalljes së pavarësisë më 28 nëntor 1912. Kryengritja nisi më 24 mars 1911 si reagim ndaj politikave centralizuese dhe represive të Perandorisë Osmane pas Revolucionit Xhonturk të vitit 1908, që synonin çarmatimin e popullsisë, rritjen e taksave dhe rekrutimin e detyruar në ushtri.

Nën udhëheqjen e figurave të shquara si Ded Gjo Luli, Çun Mula, Marash Uci dhe Nik Gjloshi Luli, malësorët organizuan një rezistencë të armatosur që kulmoi me Betejën e Deçiqit. Moment historik mbetet ngritja e Flamurit Kombëtar shqiptar më 6 prill 1911 në majën e Malit Deçiq, një akt simbolik që riktheu flamurin pas 468 vitesh nga ngritja e tij nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Krujë më 1443.

Një tjetër moment i rëndësishëm i kësaj lëvizjeje ishte hartimi i “Memorandumit të Greçës” më 23 qershor 1911, ku krerët e kryengritjes artikuluan kërkesat për njohjen e kombit shqiptar, përdorimin e gjuhës shqipe në arsim dhe administratë, si dhe krijimin e një autonomie administrative dhe financiare.

Kryengritja gjeti mbështetje të gjerë si brenda trojeve shqiptare, ashtu edhe nga diaspora dhe figura të njohura kombëtare si Isa Boletini, Luigj Gurakuqi dhe Bajram Curri. Nën presionin e zhvillimeve të brendshme dhe ndërkombëtare, autoritetet osmane u detyruan të bëjnë lëshime në gusht të vitit 1911.

Megjithëse nuk arriti menjëherë krijimin e një shteti autonom, Kryengritja e Malësisë së Madhe shënoi një kthesë të rëndësishme, duke e transformuar çështjen shqiptare nga një revoltë lokale në një lëvizje të organizuar politike për pavarësi. Ajo u bë preludi i Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912 dhe i shpalljes së pavarësisë në Vlorë.

Për komunitetin shqiptar në Michigan, kjo mbrëmje përkujtimore ishte më shumë se një aktivitet kulturor. Ajo shërbeu si një moment reflektimi mbi historinë, identitetin dhe trashëgiminë kombëtare, duke forcuar lidhjet mes brezave dhe duke rikujtuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike edhe larg atdheut

Lini një koment