Antonio Conte, gati për rikthim në drejtimin e kombëtares pas 10 vitesh. Paga, “nyja” që duhet zgjidhur
Kur njoftoi largimin nga kombëtarja italiane në korrik 2016, pas eliminimit me penallti ndaj Gjermanisë kampione bote, në çerekfinalet e Europianit, Antonio Conte nuk i mbajti dot lotët. Ai kishte vendosur të provonte aventurën te Chelsea, por zemra i kishte mbetur tek ai grup axurr që dha gjithçka në fushë. Italia e asaj kohe nuk konsiderohej një skuadër e madhe, përveç mbrojtjes solide, por forca teknike dhe morale e Contes e shndërroi në një nga pretendentet për triumfin final.
Conte ka fituar pesë tituj kampionë në Itali me tri skuadra të ndryshme, tri Superkupa, si edhe një Premier League dhe “FA Cup” në Angli. Megjithatë, për shumëkënd, arritja më e madhe mbetet puna e tij me Italinë.
Pas 10 vitesh, rikthimi në stolin axurr duket shumë pranë. Pengesa kryesore mbetet paga. Këtë sezon te Napoli përfitoi 9 milionë euro neto, ndërsa trajneri i fundit axurr, Gennaro Gattuso, merrte rreth 800 mijë euro. Federata mund të kërkojë sërish ndihmën e sponsorëve, si në vitin 2014, për ta kthyer Conten në drejtimin e kombëtares.