I doli emri gjatë përgjimit në rajon të dy shpërndarësve të drogës, detajet si u arrestua polici në Sarandë
Janë zbardhur detaje të reja nga arrestimi i nënkomisarit, Edmond Ruçi, specialist për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, i cili është ndaluar mbrëmjen e së martës nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim me Prokurorinë.
Sipas informacioneve paraprake, hetimet kanë nisur pas ndalimit të dy personave të dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike. Mësohet se gjatë shoqërimit të tyre, në ambientet e dhomave të ndalimit janë instaluar pajisje përgjimi, çka ka çuar më pas në evidentimin e dyshimeve ndaj efektivit të policisë.
Dy të arrestuarit iu nënshtruan procedurave ligjore nga Oficeri i Policisë Gjyqësore pranë Komisariatit të Sarandës, nënkomisar Edmond Ruçi ndërsa në vijim të përpilimit të materialeve për referimin e rastit në Prokurori, janë krijuar dyshime të arsyeshme se nënkomisar Edmond Ruçi ka tentuar të kryejë veprime të paligjshme me qëllim favorizimin e njërit prej personave të arrestuar.
Sipas këtyre dyshimeve, ai i ka kërkuar këtij shtetasi një shumë parash në këmbim të lirimit të tij, si dhe për transferimin e përgjegjësisë penale tek shtetasi tjetër i ndaluar.
Menjëherë pas evidentimit të këtyre dyshimeve, strukturat drejtuese të Komisariatit të Policisë Sarandë kanë referuar rastin pranë Prokurorisë dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) Sarandë.
Në vijim të veprimeve hetimore të ndërmarra nga këto institucione, është bërë edhe ndalimi i nënkomisar Edmond Ruçi, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.
Pas përgjimeve dhe veprimeve hetimore të kryera nga AMP dhe Prokuroria, është bërë edhe ndalimi i oficerit Edmond Ruçi.