Aksident me pasojë vdekje në aksin Thumanë-Laç, arrestohet shoferi 20-vjeçar
Një 20-vjeçar është arrestuar këtë të mërkurë, 20 maj, për veprën penale “Shkelja e rregullave e qarkullimit rrugor”.
Sipas njoftimit të uniformave blu, mbrëmjen e së martës (19 maj), 20-vjeçari ka përplasur me automjetin e tij, makinën që drejtohej nga një 56-vjeçar, i cili si pasojë ky i fundit ka humbur jetën. Gjithashtu mbetën të lënduar dhe tre persona të tjerë.
“Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin O. P., 20 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Rreth orës 23:30, të datës 19.05.2026, në aksin rrugor Thumanë–Laç, automjeti që drejtonte 20-vjeçari është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin N. Gj., 56 vjeç.
Si pasojë e aksidentit, shtetasi N. Gj. ka humbur jetën, ndërsa janë dëmtuar shtetasit P. Gj., 75 vjeç, M. Gj., 70 vjeçe dhe V. Gj., 56 vjeçe, pasagjerë në automjetin tjetër, të cilët janë transportuar në Spitalin e Traumës, Tiranë, për ndihmë mjekësore më të specializuar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
/tvklan.al