Tha se nuk ka asgjë për të deklaruar, ia gjejnë mbi 10 mijë euro gjatë kontrollit– Dogana njofton për rastin në pikën kufitare Jarinjë
Dogana e Kosovës ka evidentuar një rast të mosdeklarimit të mjeteve monetare në Pikën Kufitare Jarinjë.
Dogana njofton se gjatë kontrollit të një automjeti të udhëtarëve në hyrje të Republikës së Kosovës, zyrtarët doganorë kanë pyetur personin nëse posedon mallra apo mjete monetare për deklarim, ndërsa përgjigjja ka qenë negative.
“Pas ekzaminimit të detajuar të automjetit dhe sendeve personale, janë gjetur mjete monetare të padeklaruara në vlerë totale prej 10,173.60 euro, përfshirë euro dhe dinarë serbë, të shpërndara në pjesë të ndryshme të automjetit dhe tek personi në fjalë.
Në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, rasti është proceduar tek njësitë kompetente dhe është shqiptuar gjobë administrative, Për rastin në fjalë është njoftuar hetuesia e doganës përmes të cilëve është njoftuar edhe Prokurori i shtetit, derisa shuma tjetër e mjeteve mbetet e ndaluar deri përfundimin e hetimeve”, thuhet në njoftim.
Dogana e Kosovës rikujton qytetarët dhe udhëtarët se deklarimi i mjeteve monetare gjatë hyrjes apo daljes nga territori i Republikës së Kosovës është obligim ligjor dhe mosrespektimi i këtyre dispozitave sjell pasoja administrative dhe ligjore. /Telegrafi/