Makinat përfundojnë jashtë rruge, një i vdekur dhe tre të plagosur në Mamurras-Laç
Një person ka humbur jetën këtë të mërkurë, 20 maj, si pasojë e një aksidenti të rëndë të ndodhur në aksin rrugor Mamurras-Laç, pranë zonës së Gjormit, ku dy automjete janë përplasur dhe më pas kanë dalë nga rruga.
Siç raporton gazetari i Klan News, Martin Marku, si pasojë e përplasjes janë plagosur edhe tre persona të tjerë. Disa prej tyre mësohet se janë në gjendje të rëndë.
Policia ka njoftuar se lidhur me këtë aksident është arrestuar një 20-vjeçar, drejtuesi i një prej automjeteve që dhe shkaktoi aksidentin.
“Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin O. P., 20 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Rreth orës 23:30, të datës 19.05.2026, në aksin rrugor Thumanë–Laç, automjeti që drejtonte 20-vjeçari është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin N. Gj., 56 vjeç.
Si pasojë e aksidentit, shtetasi N. Gj. ka humbur jetën, ndërsa janë dëmtuar shtetasit P. Gj., 75 vjeç, M. Gj., 70 vjeçe dhe V. Gj., 56 vjeçe, pasagjerë në automjetin tjetër, të cilët janë transportuar në Spitalin e Traumës, Tiranë, për ndihmë mjekësore më të specializuar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
Në vendin e ngjarjes mbërritën forca të shumta policie, të cilat bënë sigurimin e zonës dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të aksidentit.
/tvklan.al