E mërkurë, 20 Maj 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperia“Zero tolerancë ndaj lidhjeve me grupet kriminale”, Hita zbarkon në Sarandë: Do përjashtohen nga policia

“Zero tolerancë ndaj lidhjeve me grupet kriminale”, Hita zbarkon në Sarandë: Do përjashtohen nga policia

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një takim me strukturat e Komisariatit të Policisë në Sarandë, që vjen pas arrestimit të disa drejtuesve të policisë, përfshirë shefin e komisariatit.

Gjatë takimit, Hita kërkoi reagim të menjëhershëm nga strukturat vendore dhe Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë për përmirësimin e situatës dhe rikthimin e besimit të qytetarëve ndaj policisë.

Kreu i Policisë e cilësoi të papranueshme situatën e krijuar në Sarandë, pas arrestimit të shefit të Komisariatit dhe tre specialistëve të tjerë, si edhe pezullimit të shefit të Seksionit të Krimeve, në kuadër të një operacioni që nisi pas ndërhyrjeve kundër betonizimit të bregdetit.

“Cilido që mban lidhje apo favorizon grupet kriminale dhe elementët me rrezikshmëri të lartë shoqërore do të përjashtohet nga Policia dhe do të përballet me drejtësinë”, deklaroi Hita, duke paralajmëruar masa të ashpra ndaj çdo punonjësi të përfshirë në abuzime apo veprimtari të paligjshme.

Ai kërkoi gjithashtu angazhim më të madh në luftën kundër grupeve kriminale, armëmbajtjes pa leje, trafikut të narkotikëve dhe kapjen e personave në kërkim.

Në përfundim, Hita theksoi se ndërtimet pa leje nuk do të tolerohen dhe kërkoi koordinim të ngushtë me institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e territorit.

Lini një koment