E mërkurë, 20 Maj 2026
54°F Detroit
BallinaKosovaFormohet grupi punues për pensionimin e parakohshëm në Policinë e Kosovës

Formohet grupi punues për pensionimin e parakohshëm në Policinë e Kosovës

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se është themeluar grupi punues që do të hartojë modalitetet për programin e pensionimit të parakohshëm në Policinë e Kosovës.

Sipas Sveçlës, grupi punues do të analizojë aspektet ligjore, financiare dhe organizative të këtij procesi dhe deri në fund të muajit korrik do të dalë me propozime konkrete.

“Sot, me vendim, kam themeluar grupin punues i cili, duke analizuar të gjitha aspektet e nevojshme ligjore, financiare dhe organizative, deri në fund të muajit korrik të këtij viti do të propozojë modalitetet e programit të pensionimit të parakohshëm në Policinë e Kosovës”, ka shkruar ai.

Ai bëri të ditur se grupi tashmë ka mbajtur takimin e parë dhe do të zhvillojë konsultime me strukturat e Policisë së Kosovës në nivel qendror dhe lokal.

“Grupi punues i cili sot mbajti takimin e parë, do të organizojë konsultime, takime pune dhe sesione dëgjimore me strukturat organizative të Policisë së Kosovës në nivel qendror dhe lokal”, thuhet në njoftim.

Sipas Sveçlës, në kuadër të analizës do të shqyrtohet mundësia që programi të zbatohet gradualisht, duke nisur nga mosha 63-vjeçare dhe duke zbritur deri në 55 vjeç.

“Do të shqyrtohet mundësia e zbatimit gradual të programit, duke filluar nga mosha 63 vjeç dhe duke u ulur progresivisht deri në moshën 55 vjeç”, ka deklaruar ai.

Ministri në detyrë theksoi se ky proces synon menaxhim më të mirë të burimeve njerëzore dhe rritje të efikasitetit operacional në Policinë e Kosovës.

“Përmes këtij programi, do të ndërtojmë një polici më funksionale, më të balancuar në strukturë dhe më të gatshme për t’iu përgjigjur sfidave bashkëkohore të sigurisë”, ka shtuar Sveçla. /Telegrafi/

Lini një koment