Berisha: Nuk do të lejojmë prekjen e Kushtetutës që përcakton mbajtjen e interpelancave me Kryeministrin
Kreu i PD-së, Sali Berisha deklaroi në mbledhjen e grupit parlamentar, se Kuvendi duhet të marrë në shqyrtim në seancën e së enjtes sugjerimet e Gjykatës Kushtetuese për ndryshimet në rregulloren parlamentare. Ai theksoi se deputetët demokratë nuk do të pranojnë asnjë ndryshim që cenon Kushtetutën, veçanërisht sa i përket detyrimit të Kryeministrit për t’u paraqitur në interpelancë.
“Sikundër vlerësoj punën që ka bërë grupi i punës, dhe kryetari do u informojë, për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me rregulloren e Kuvendit. Gjykata Kushtetuese, siç e dini, hodhi poshtë aktin e aneksimit të parlamentit nga pseudomazhoranca. Akt që konsistoi në miratimin e një rregulloreje pa asnjë konsultim paraprak me opozitën në një mënyrë të rrufeshme, në një mënyrë që nuk kishte ndodhur kurrë, në kundërshtim me rregulloren, në kundërshtim me frymën e Kushtetutës. Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë këtë akt si antikushtetues dhe urdhëroi parlamentin që pas 30 ditësh nga zbardhja e vendimit të bëjë të gjitha amendimet e domosdoshme në mënyrë që të respektohet vendimi i saj.
Dhe grupi i punës, siç do ta dëgjoni edhe ju, ka bërë një punë serioze bashkë me të tjerët, të cilët përsëri janë përpjekur në mënyra të ndryshme të ngushtojnë hapësirën e opozitës, por në mënyrë absolute nuk e pranojmë. Sikundër nuk mund të pranohet asnjë lloj modifikimi, propozimi që bie ndesh me përcaktimin e Kushtetutës.
Në qoftë se neni 80 i Kushtetutës përcakton se kryeministri dhe ministrat janë të detyruar të paraqiten në interpelancë kur kërkohet nga deputetët, asnjë deputet nuk do të pranojë delegimin e interpelancës nga kryeministri. Ne nuk pranojmë delegimin që nuk e njeh Kushtetuta të detyrimit të tij për t’u paraqitur”, tha Berisha.
Berisha përgëzoi deputetët e përfshirë në komisionet e reformës zgjedhore dhe territoriale për punën që, sipas tij, po zhvillohet mbi bazën e rekomandimeve të institucioneve ndërkombëtare.
“Sot punohet mbi dokumente dhe rekomandime të shkëlqyera të institucioneve ndërkombëtare. Ne jemi të gatshëm të zbatojmë një për një rekomandimet e tyre”, u shpreh ai, duke shtuar se këto rekomandime janë thelbësore për t’i dhënë përgjigje problemeve të procesit zgjedhor në vend.
Lideri demokrat vlerësoi gjithashtu punën e komisionit të reformës territoriale, duke theksuar rëndësinë e dëgjesave publike me qytetarët. Sipas Berishës, reforma aktuale territoriale e ndërmarrë nga qeveria e Edi Rama ka qenë “në funksion të shpopullimit të Shqipërisë dhe farsës elektorale”.
Ai garantoi se opozita do të paraqesë një hartë të re territoriale “në interesin më të mirë të qytetarëve”.
“Dua të përgëzoj deputetët e komisioneve të reformave, qoftë asaj territoriale dhe asaj zgjedhore për punën që po bëjnë jashtëzakonisht të rëndësishme në dy fusha themelore me interes shumë të madh për të sotmen dhe të ardhmen e vendit.
Sot punohet nga komisioni i reformës, punohet mbi bazën e dokumenteve, do të thosha të shkëlqyer, dhe rekomandimeve të shkëlqyera të institucioneve ndërkombëtare. Ne jemi të gatshëm të zbatojmë një për një rekomandimet e tyre. Po kështu bëhet një punë shumë e mirë nga komisioni i reformës territoriale. Janë organizuar dëgjesa, në vlerësimin tim, të rëndësishme dhe të çmuara, ku shqiptarët kanë dëgjuar vlerësimet e tyre, vlerësimet e qytetarëve për pseudoreformën e Edi Ramës, e cila ishte e tëra në funksion të shpopullimit të Shqipërisë dhe farsës elektorale të qeverisë.
Unë përshëndes anëtarët e komisionit, përshëndes qytetarët dhe i garantoj se ne jemi të vendosur të paraqesim, në përputhje me interesat e tyre, hartën më të mirë, ndarjen territoriale më në interes të qytetarëve. Ndaj dhe unë e vlerësoj shumë punën me transparencë që po bëhet dhe dëgjesat që po organizohen”, tha Berisha.