U infektua me Ebola në Kongo, mjeku amerika udhëton me aeroplan për në Gjermani për trajtim
Një mjek amerikan i cili u infektua me Ebola në Republikën Demokratike të Kongos është dërguar me aeroplan në Gjermani për trajtim, së bashku me gruan dhe katër fëmijët e tij, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi për shkallën dhe shpejtësinë e shpërthimit.
Autoritetet kanë raportuar të paktën 134 vdekje të dyshuara dhe më shumë se 500 raste të virusit hemorragjik Bundibugyo, i cili nuk ka trajtime ose vaksina të miratuara. Shpërthimi, i cili është përhapur në zonat urbane, është shpallur një emergjencë e shëndetit publik që kërkon reagim ndërkombëtar.
Dr. Peter Stafford, kirurg dhe udhëheqës i grupit misionar të krishterë Serge, ka thënë se pa e ditur ka operuar një pacient me Ebola përpara se të zbulohej shpërthimi. Gruaja e tij, Rebekah Stafford, gjithashtu mjeke, dhe fëmijët e tyre po monitorohen për simptoma të sëmundjes.
Kirurgu i infektuar mezi qëndronte në këmbë kur u nis për në Gjermani, sipas dy udhëheqësve të grupit misionar të krishterë ku ai punonte.
Stafford punonte në spitalin Nyankunde në provincën Ituri të RDK-së, ku qendrat afrikane për kontrollin e sëmundjeve konfirmuan për herë të parë shpërthimin e Ebolës. Ai kishte operuar një pacient 33-vjeçar me dhimbje të forta barku.
Në fillim, mjekët besuan se pacienti kishte një infeksion të fshikëzës së tëmthit dhe Stafford bëri një procedurë abdominale dhe zbuloi se fshikëza e tëmthit ishte normale dhe e mbylli, por ky pacient më pas vdiq të nesërmen.
Pacienti u varros përpara se të testohej për Ebolën, por Stafford zhvilloi simptoma dhe rezultoi pozitiv të dielën, sipas Qendrave të SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.