Forcat izraelite trajtojnë rëndë aktivistët në Gaza, mes tyre dhe një shqiptar
Aktivistët e flotiljes humanitare “Global Sumud” janë ndaluar nga forcat izraelite dhe janë shoqëruar në portin e Ashdodit, ku pamjet e publikuara i tregojnë të gjunjëzuar, me duar të lidhura dhe të rrethuar nga agjentët e Shin Bet.
Mes tyre shihet dhe ministri izraelit Itamar Ben Gvir duke nënqeshur me trajtimin e bërë.
Situata ka shkaktuar reagime ndërkombëtare dhe polemika për trajtimin e pjesëmarrësve të misionit që synonte dërgimin e ndihmave në Gaza.
Mes mbi 400 të ndaluarve nga më shumë se 40 vende ndodhen edhe 29 shtetas italianë, ndërsa raportimet paraprake flasin edhe për praninë e aktivistit shqiptar Baki Goxhaj.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe ministri i Jashtëm Antonio Tajani e cilësuan “të papranueshëm” trajtimin e aktivistëve nga Izraeli dhe kërkuan shpjegime zyrtare. Ministria e Jashtme italiane ka thirrur ambasadorin izraelit në Romë.
Ndërkohë, prej afro 48 orësh nuk ka ende informacion të qartë mbi vendndodhjen dhe gjendjen e aktivistit shqiptar Baki Goxhaj.
Organizatorët e flotiljes e kanë cilësuar ndërhyrjen izraelite si “pirateri” dhe “rrëmbim në ujërat ndërkombëtare”, ndërsa autoritetet izraelite deklarojnë se të ndaluarve do t’u garantohet akses konsullor.