Kolegji Zgjedhor pezullon votimin nga burgu, çon ligjin në Kushtetuese
Kolegji Zgjedhor ka pezulluar vendimin e Komisionit Rregullator të KQZ-së që lejonte të burgosurit të votonin në zgjedhjet lokale në bashkinë ku ndodhet institucioni i vuajtjes së dënimit dhe i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e nenit 18 të ligjit për gjendjen civile.
Vendimi i sotëm më 20 maj erdhi pas padisë së depozituar nga Partia Demokratike më 11 maj 2026, e cila kundërshtoi aktin e KQZ-së të miratuar më 14 prill.
Sipas këtij vendimi, personat që vuajnë dënimin në burgje, paraburgime apo që ndodhen për trajtim afatgjatë në spitale, konsiderojnë si vendbanim për efekt zgjedhor institucionin ku qëndrojnë.
Kjo do të thoshte se një i burgosur nga Pogradeci, i cili vuan dënimin në Korçë, mund të votonte për kryetarin e bashkisë Korçë dhe jo për bashkinë ku ka vendbanimin civil.
Partia Demokratike argumentoi në Kolegjin Zgjedhor se burgu nuk mund të konsiderohet vendbanim, por vetëm vendqëndrim i përkohshëm, duke theksuar se kjo cenon parimet kushtetuese të përfaqësimit vendor dhe të drejtës së votës.
Në vendimin e saj, trupa gjykuese e Kolegjit Zgjedhor vendosi pezullimin e zbatimit të aktit të KQZ-së, si edhe pezullimin e shqyrtimit të çështjes deri në një shprehje të Gjykatës Kushtetuese.
Njëkohësisht, Kolegji i kërkoi Gjykatës Kushtetuese të shqyrtojë kushtetutshmërinë e nenit 18 të ligjit për gjendjen civile, të ndryshuar në vitin 2024, ku përcaktohet se për efekt zgjedhor, burgjet dhe institucionet shëndetësore afatgjata konsiderohen vendbanim për personat që ndodhen aty.
Debati lidhet drejtpërdrejt me precedentin e zgjedhjeve lokale të vitit 2023 në Rrogozhinë, ku rezultati u ndikua nga vota e të burgosurve të burgut të Rrogozhinës. Në atë rast, kandidati socialist Edison Memolla fitoi me diferencë të ngushtë falë kutive që u numëruan në burgje, ndërsa më pas Kolegji Zgjedhor vendosi përsëritjen e zgjedhjeve.
Pas këtij precedenti, mazhoranca ndryshoi ligjin për gjendjen civile në vitin 2024, duke sanksionuar me nen të posaçëm që për qëllime zgjedhore, vendbanimi i të burgosurve dhe pacientëve afatgjatë konsiderohet institucioni ku ata qëndrojnë.
Në zbatim të këtij ndryshimi ligjor, KQZ miratoi në prill 2026 vendimin për krijimin e qendrave të posaçme të votimit në burgje dhe institucione të tjera të mbyllura.
Tashmë, me vendimin e Kolegjit Zgjedhor, zbatimi i këtij akti është ndalur dhe çështja i kalon Gjykatës Kushtetuese, e cila pritet të japë interpretimin përfundimtar nëse burgu mund të konsiderohet apo jo vendbanim për efekt të zgjedhjeve vendore.
/tvklan.al