E mërkurë, 20 Maj 2026
54°F Detroit
BallinaKosova“Ka me të mbulu turpi” – Çitaku me reagim të ashpër ndaj Gërvallës për deklaratën e Gecit për Thaçin

“Ka me të mbulu turpi” – Çitaku me reagim të ashpër ndaj Gërvallës për deklaratën e Gecit për Thaçin

Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike e Kosovës dhe kandidatja për deputete, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministres në detyrë, Donika Gërvalla, lidhur me ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Reagimi i Çitakut erdhi pasi Gërvalla deklaroi se e respekton qëndrimin e bashkëpartiakut të saj, Fatos Geci, i cili kishte thënë se “shpreson që Hashim Thaçi të dënohet me burgim të përjetshëm në Hagë”.

Në reagimin e saj, Çitaku tha se deklarata të tilla janë të papranueshme dhe të dhimbshme.

“Ka me të mbulu turpi, Donikë. Çfarë neverie. Çfarë gërrdije. Me qenë Ministre e Jashtme e Republikës së Kosovës, me përfaqësu këtë shtet para botës, e sot si Ministre e Drejtësisë me ua uru burgimin e përjetshëm Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Kjo dhemb. Thellë”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka theksuar se me deklarata të tilla nuk po sulmohen vetëm individët, por edhe lufta e UÇK-së dhe sakrifica mbi të cilën, sipas saj, është ndërtuar shteti i Kosovës.

“Sepse në fakt, ju nuk po sulmoni vetëm katër njerëz. Ju po doni me dënu UÇK-në, luftën çlirimtare dhe krejt sakrificën mbi të cilën është ndërtu kjo Republikë”.

“Ata burra mund t’i mbani larg Kosovës fizikisht, por nuk mund ta burgosni historinë. Nuk mund ta zhbëni sakrificën, gjakun dhe idealin e mijëra grave e burrave që u ngritën për liri. Marre ju qoftë”, ka deklaruar Çitaku./Telegrafi.

Lini një koment