Ylber Ramadani i gatshëm për sfidën e mbijetesës, luan ndeshjen numër 100 me Lecce-n
“Sold out” në stadiumin “Via del Mare” të Lecce-s për ndeshjen e së dielës kundër Genoa-s. Klubi salentin ka bërë me dije se biletat e pakta në dispozicion (abonentët janë mbi 22 mijë) janë shitur në një kohë shumë të shkurtër.
Gjatë seancës së fundit stërvitore është stërvitur edhe mesfushori i Kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani, i cili ka pasur shqetësime fizike pas ndeshjes së fundit. Ai ka punuar pjesërisht me grupin dhe do të jetë në dispozicion për sfidën e fundit të kampionatit.
Për Ramadanin do të jetë një ndeshje jubilare ajo e kësaj fundjave. Ai do të kapë shifrën e 100 ndeshjeve në Serinë A me fanellën e Lecce-s, që duhet të fitojë të dielën për të siguruar qëndrimin në kategori. Mesfushori kuqezi ka qenë protagonist gjatë sezonit, duke qenë lojtari me më shumë kilometra në gjithë kampionatin italian.