Senati i Michigan-it miraton projektligje për kufizimin e orëve shtesë të detyruara për infermierët
Infermierët në Michigan mund të mos detyrohen më të punojnë orë shtesë të detyruara, sipas një pakete projektligjesh të miratuara të mërkurën në Senatin e shtetit.
Legjislacioni synon të ndalojë spitalet nga detyrimi i infermierëve për të punuar orë shtesë, me disa përjashtime të kufizuara. Gjithashtu, ai parashikon që infermierët të kenë të paktën tetë orë pushim pas një turni 12-orësh.
Senatorja e shtetit, Stephanie Chang, bashkësponsorizuese e nismës, theksoi se këto masa janë të domosdoshme për sigurinë e pacientëve dhe mirëqenien e stafit.
“Aktualisht, spitalet mund t’i detyrojnë infermierët të punojnë orë të pakufizuara. Kur ata janë të lodhur dhe pa gjumë, rritet rreziku për gabime, të cilat ndonjëherë mund të jenë edhe kërcënuese për jetën,” u shpreh Chang.
Megjithatë, kundërshtarët e projektligjit paralajmërojnë se kufizime të tilla mund të ndikojnë negativisht në aftësinë e spitaleve për të përballuar mungesat e stafit. Gjatë diskutimeve në komision, përfaqësues të sektorit shëndetësor argumentuan se vendimet për personelin duhet të mbeten në nivelin e çdo spitali.
Projektligjet janë ndryshuar gjatë procesit legjislativ. Ndryshimet përfshijnë shtyrjen e hyrjes në fuqi deri në qershor të vitit të ardhshëm, shtimin e disa përjashtimeve dhe ashpërsimin e penaliteteve për shkelësit e përsëritur.
Shoqata e Shëndetit dhe Spitaleve në Michigan (MHA), e cila fillimisht kishte shprehur shqetësime, mirëpriti disa nga ndryshimet.
“Infermierët janë thelbësorë për një kujdes shëndetësor cilësor dhe të aksesueshëm. Spitalet në Michigan mbështeten tek fuqia e tyre punëtore dhe vlerësojnë faktin që Senati mori parasysh shqetësimet e drejtuesve të spitaleve, duke ruajtur vendimmarrjen në nivel lokal, sidomos gjatë situatave të paparashikueshme,” tha në një deklaratë Amy Brown, drejtoreshë e infermierisë në MHA.
Nga ana tjetër, senatori republikan Ed McBroom tha se ndërhyrja ligjore është e nevojshme, pasi spitalet nuk kanë motivim të ndryshojnë politikat aktuale.
“Spitalet nuk do ta ndryshojnë këtë politikë vetë. Është e qartë që për ta funksionon. Për të sjellë ndryshim, nevojitet veprim legjislativ,” u shpreh ai.
Propozime të ngjashme janë paraqitur prej vitesh, por kjo është hera e parë që një paketë e tillë merr votim në Senatin e Michigan-it.
Projektligjet morën edhe disa vota nga republikanët në Senatin e kontrolluar nga demokratët dhe tani kalojnë për shqyrtim në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila kontrollohet nga republikanët.
Chang theksoi se mbështetja e fortë nga vetë infermierët ka qenë vendimtare për avancimin e kësaj nisme dhe pritet që presioni të vazhdojë edhe në fazën tjetër.
“Ata janë një grup i fortë dhe i përkushtuar. Tani do të fokusohen tek Dhoma e Përfaqësuesve. Çdo zonë ka infermierë të lodhur dhe të mbingarkuar, ndaj pres që ligjvënësit të dëgjojnë zërin e tyre,” përfundoi ajo.