Muzeu i Industrisë së Hekurit në Michigan mbyllet përkohësisht për shkak të dëmtimeve nga bora
Muzeu i Industrisë së Hekurit në Michigan njoftoi këtë javë se është mbyllur për një periudhë të pacaktuar për shkak të dëmtimeve në çati, të shkaktuara nga reshjet e dendura të borës.
Sipas një njoftimi për shtyp të publikuar të premten, më 20 mars, nga Departamenti i Burimeve Natyrore të Michigan-it, strukturat mbajtëse të çatisë së galerisë kryesore filluan të çahen më 21 shkurt për shkak të peshës së borës. Në faqen zyrtare të muzeut thuhet se “Muzeu i Industrisë së Hekurit në Michigan është përkohësisht i mbyllur për shkak të rrethanave të paparashikuara”.
“Çatia e muzeut është ndërtuar për të përballuar ngarkesa të konsiderueshme bore, por reshjet e shumta këtë sezon, të kombinuara me grumbullimet e krijuara nga era, kanë tejkaluar kapacitetin e strukturës,” tha Tobi Voigt, drejtor i muzeve në Qendrën Historike të Michigan-it.
Sipas autoriteteve, bora e shtuar nga stuhia e fundit është hequr, ndërsa stabilizimi emergjent i strukturave të dëmtuara do të nisë të hënën, më 23 mars.
Zyrtarët e muzeut bënë të ditur se një kompani ndërtimi lokale ka hequr nga çatia një shtresë bore prej 1.2 deri në 1.8 metra (4–6 këmbë).
“Jemi mirënjohës ndaj Mike Colleur nga Colleur Construction dhe Will Rajala nga WR Construction LLC për punën e palodhur të ekipeve të tyre në pastrimin e borës nga çatia e dëmtuar,” tha historiani i muzeut, Troy Henderson. “Ata punuan nga platforma ngritëse mbi çati, për të mos shtuar peshë shtesë. Ishte një ndërmarrje gjigante.”
Ky dimër është cilësuar si ekstrem nga studiuesit e motit. Një stuhi e fundit solli deri në 132 cm (52 inç) borë në disa zona të Gadishullit të Sipërm të Michigan-it, ndërsa në zonën e Marquette u regjistruan mbi 90 cm.
I vendosur rreth 13 kilometra në perëndim të Marquette, muzeu ndodhet në vendin e fabrikës së parë të përpunimit të hekurit në rajonin e Liqenit Superior. Ai rrëfen historinë e tre zonave kryesore të nxjerrjes së hekurit në Michigan dhe të njerëzve që punuan në to, përmes ekspozitave, programeve audio-vizuale dhe shtigjeve interpretative në natyrë.
Qendra Historike e Michigan-it, pjesë e Departamentit të Burimeve Natyrore, e bashkëmenaxhon muzeun së bashku me Divizionin e Parqeve dhe Rekreacionit të DNR. Muzeu është gjithashtu pjesë e Parkut Shtetëror Van Riper, i cili po koordinon reagimin emergjent me mbështetjen e kësaj qendre.
Punimet që nisin më 23 mars synojnë stabilizimin e strukturave të dëmtuara për të parandaluar shembjen e plotë të çatisë. Më pas do të kryhet një vlerësim i plotë i sistemit të çatisë për të identifikuar dëmtime të tjera të mundshme dhe për të përcaktuar zgjidhjet afatgjata, përfshirë mundësinë e ridizenjimit apo zëvendësimit të saj.
Pas stabilizimit të çatisë, stafi i muzeut do të zhvendosë artefaktet dhe pajisjet ekspozuese nga galeria kryesore dhe do t’i ruajë ato në mënyrë të sigurt deri në përfundimin e riparimeve.
“Kemi arritur të shpëtojmë disa artefakte historike të rëndësishme nga zonat ku kishim akses të sigurt, përfshirë materiale që lidhen me tragjedinë minerare Barnes-Hecker,” tha historiani Barry James.
Ndërkohë, historianët e muzeut po punojnë për të riplanifikuar programet pranverore dhe vizitat shkollore.
“Në këtë moment, nuk e dimë kur do të jemi në gjendje të rihapim në mënyrë të sigurt,” përfundoi Henderson.