Thursday, 2 July 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaMinistri Hoxha vizitë zyrtare në Lituani, në fokus siguria dhe integrimi në BE

Ministri Hoxha vizitë zyrtare në Lituani, në fokus siguria dhe integrimi në BE

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi këtë të hënë një vizitë zyrtare në Vilnius të Lituanisë.

Paraditen e sotme, Hoxha u prit nga homologu i tij lituanez, Ministri Kęstutis Budry, në një takim që konfirmoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Lituanisë, të bazuara në vlerat e përbashkëta evropiane dhe angazhimin e përbashkët për sigurinë dhe stabilitetin e Evropës si dy vende anëtare të NATO-s.

Mësohet se Hoxha shprehu mirënjohjen ndaj Lituanisë për mbështetjen ndaj procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian të Shqipërisë.

Sipas tij, Presidenca lituaneze e Këshillit të Bashkimit Evropian, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2027, do të jetë një mundësi e rëndësishme për ta mbajtur zgjerimin në krye të axhendës evropiane.

Ministri lituanez Kęstutis Budry, deklaroi se Shqipëria është sot një shembull i faktit se si funksionon një proces zgjerimi i BE i bazuar te merita dhe rezultatet konkrete të vendeve kandidate, duke vlerësuar kështu rrugëtimin e deritanishëm të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Hoxha shprehu gjithashtu vlerësimin për qëndrueshmërinë dhe lidershipin e Lituanisë përballë sfidave të përditshme të sigurisë që burojnë nga agresioni rus.

“Qëndrimi i përbashkët me partnerët tanë mbetet thelbësor për mbrojtjen e paqes, lirisë dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, tha ai.

Ministri nënvizoi mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Ukrainën, sovranitetin dhe integritetin territorial të saj.

Ministrat u ndalën edhe në thellimin e bashkëpunimit në kuadër të NATO-s, përfshirë mundësinë që Shqipëria të përfitojë nga përvoja e vyer e Lituanisë në organizimin e suksesshëm të Samitit të NATO-s në Vilnius në vitin 2023, ndërsa vijojmë përgatitjet për organizimin e Samitit të NATO-s në Tiranë në vitin 2027.

Në një postim në X pas takimit, Hoxha deklaroi se “në takim diskutuam edhe mënyrat për të thelluar bashkëpunimin tonë dypalësh në fusha kyçe, veçanërisht lidhjet tona ekonomike dhe tregtare, në teknologjinë e informacionit dhe turizmin”.

Të dy homologët nënshkruan Marrëveshjen për eliminimin e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit tatimor që përbën një hap konkret drejt forcimit të bashkëpunimit ekonomik.

Vizita e Hoxhës në Lituani do të vijojë me takimet me drejtuesit e Komisionit Parlamentar për Punët e Jashtme, Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, dhe Qendrën e Studimeve për Siguri dhe Gjeopolitikë.

Lini një koment