Sunday, 21 June 2026
54°F Detroit
BallinaAmerikaKoreja e Veriut lëshon disa raketa balistike afatshkurtra drejt detit

Koreja e Veriut lëshon disa raketa balistike afatshkurtra drejt detit

Koreja e Veriut lëshoi të martën disa raketa balistike afatshkurtra drejt detit, njoftoi ushtria e Koresë së Jugut. Ngjarja përbën një tjetër demonstrim të kapaciteteve ushtarake nga Pyongyang gjatë këtij viti.

Sipas CBS News, Shtabi i Përbashkët i Forcave të Armatosura të Koresë së Jugut deklaroi se raketat u nisën nga qyteti Jongju në bregun perëndimor të Veriut, drejt Detit të Verdhë, që ndan Gadishullin Korean nga Kina. Shtabi theksoi se Seuli ka përforcuar mbikëqyrjen dhe po shkëmben ngushtë informacion me Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë.

Autoritetet jugkoreane vlerësojnë se ky ishte lansimi i parë i armëve nga Koreja e Veriut që nga 19 prilli, kur Pheniani hodhi një seri raketash afatshkurtra që mediat shtetërore e përshkruan si demonstrim të ngarkesave shpërthyese të tipit “cluster”.

Që nga dështimi i negociatave bërthamore me administratën Trump në 2019, udhëheqësi Kim Jong Un ka përqendruar përpjekjet në zgjerimin e arsenaleve bërthamore dhe raketor. Pyongyangu ka injoruar ftesat për rifillim të bisedimeve dhe ka kërkuar nga Uashingtoni heqjen e kërkesës për denuklearizim si kusht për dialogun, ndërsa qëndrimet ndaj Koresë së Jugut janë bërë gjithnjë e më të ashpra.

Raporton CBS News se presidenti jugkorean Lee Jae Myung, në një mbledhje kabineti të martën, u shpreh për nevojën e forcimit të kapaciteteve ushtarake, duke theksuar rolin e inteligjencës artificiale, mjeteve pa pilot dhe diskutimet për një nëndetëse me energji bërthamore si pjesë të diplomacisë me Uashingtonin. Ai nënvizoi po ashtu rëndësinë e gatishmërisë për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe se një qasje e tillë forcon aleancën me Shtetet e Bashkuara.

Lini një koment