Sunday, 28 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaLaboratori i kokainës në Frakull, jepet pretenca për kimistin kolumbian

Laboratori i kokainës në Frakull, jepet pretenca për kimistin kolumbian

SPAK ka shpallur pretencën sot në 3 qershor për Samir Rosales Rodriguez, i cili kishte rolin e kimistit që do të ekstratonte kokainën nga laboratori i Frakullës në Fier.

Prokurori Adnan Xholi  kërkoi dënimin me 14  vjet burgim të Rodriguez dhe i tha gjykatës se autoritetet po presin ekstradimin e të pandehurit, raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci.

Sipas hetimeve, Rodriguez udhëtoi nga Kolumbia drejt Greqisë e më tej në Malin e Zi dhe në Shqipëri.

Detyra e tij ishte të  nxirrte kokainën e përzier në pleh organik,  e cila llogaritet sipas SPAK të ishte  afro 480 kilogramë.

Në bazë të hetimeve të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme në lidhje me këtë çështje, rezulton se të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë planifikuar, organizuar dhe importuar nga Kolumbia për në Shqipëri ngarkesë të madhe droge.

Kokaina ishte fshehur mes “plehut organik” artificial, e paketuar dhe ngarkuar në një kontenier, që është transportuar nga Kolumbia nëpërmjet Portit të Pireut në Greqi, në drejtim të Portit në Bar, në Malin e Zi. Më pas në rrugë tokësore ngarkesa është futur në Shqipëri në datën 19.09.2022 dhe pasi është zhdoganuar në Tiranë, është transportuar në fshatin Frakull e Madhe, në Fier, ku është kryer sekuestrimi i lëndës narkotike nga policia gjyqësore.

Në atë kohë SPAK në bashkëpunim me agjensitë e huaja ligjzbatuese kanë pasur dijeni për ngarkesën e kokainës dhe kanë bërë dorëzimin e kontolluar të saj deri sa kanë ndërhyrë në banesën, ku u gjet lënda narkotike.

/tvklan.al

Lini një koment