Thursday, 25 June 2026
54°F Detroit
BallinaOpinionNë emër të kujt flet Shoqata Vatra e Michiganit?

Në emër të kujt flet Shoqata Vatra e Michiganit?

Nga THOMA GËLLÇI

Deklarata e degës së Michiganit të Shoqatës Vatra në mbështetje të qeverisë dhe kundër protestave në Tiranë ishte mjaft interesante. Ajo nuk sqaronte nëse ishte mbledhur ndonjë forum i organizatës, nëse ishte zhvilluar ndonjë mbledhje apo nëse ishte marrë mendimi i anëtarësisë. Në vend të kësaj, deklarata fillonte me Fan Nolin, vazhdonte me Faik Konicën, bënte një ndalesë te viti 1912 dhe përfundonte te politika e vitit 2026. Në fund, lexuesi mbetet me përshtypjen se nuk po lexon thjesht një deklaratë të zakonshme, por një dokument që flet në emër të historisë, kombit, diasporës dhe, në rastin konkret, pothuajse të gjithë shqiptaro-amerikanëve.

Më pas deklarata hynte në temë, duke trajtuar protestat në Shqipëri, investimet e huaja dhe mbështetjen për Donald Trump. Duke e lexuar, krijohet përshtypja se komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara paska një mendim të vetëm, një qëndrim të vetëm dhe një zë të vetëm, madje se Shoqata Vatra qenka shndërruar në një degë të lëvizjes MAGA. A është vërtet Vatra një organizatë aq monolite sa të mbështesë vetëm Presidentin Trump dhe jo institucionet amerikane apo pluralizmin politik që karakterizon vetë shoqërinë amerikane? Nëse është kështu, ndoshta do të ishte më e ndershme të integrohej zyrtarisht në strukturat lokale të Partisë Republikane.

Shqiptaro-amerikanët nuk janë një organizatë monolite. Ata nuk janë anëtarë të një partie të vetme dhe as ndjekës të një ideologjie të vetme. Ata janë qytetarë amerikanë me bindje të ndryshme politike, me profesione, interesa dhe pikëpamje të ndryshme për zhvillimet në Shqipëri dhe në Shtetet e Bashkuara.

Mes tyre ka republikanë dhe demokratë, konservatorë dhe liberalë, mbështetës të Donald Trumpit dhe kundërshtarë të tij. Ka njerëz që ndjekin me vëmendje politikën shqiptare dhe të tjerë që janë përqendruar krejtësisht në jetën e tyre në Amerikë. Për këtë arsye, pretendimi i heshtur se një deklaratë e një organizate lokale përfaqëson mendimin e të gjithë komunitetit është, të paktën, një ambicie shumë më e madhe sesa vetë realiteti.

Edhe më interesante është mënyra se si kërkohet të legjitimohet ky qëndrim. Si zakonisht, nxirret në skenë historia e lavdishme e Vatrës, përmenden Noli dhe Konica, kujtohen sakrificat e patriotëve të diasporës dhe kontributi i tyre për mbrojtjen e Shqipërisë.

Të gjitha këto janë të vërteta dhe askush nuk i vë në diskutim. Problemi fillon kur krijohet përshtypja se meritat e jashtëzakonshme të atyre burrave të mëdhenj kalojnë automatikisht te çdo drejtues apo anëtar i një organizate që sot mban të njëjtin emër.

Po të funksiononte kështu historia, çdo pasardhës i një familjeje të shquar do të ishte automatikisht i shquar edhe vetë. Çdo institucion me një të kaluar të lavdishme do të ishte automatikisht i suksesshëm edhe sot. Çdo klub sportiv me histori do të shpallej kampion pa luajtur asnjë ndeshje.

Respekti për Nolin dhe Konicën nuk është një çek i bardhë që mund të përdoret një shekull më vonë për të justifikuar çdo deklaratë politike. Meritat e tyre janë të tyre dhe madhështia e tyre nuk mund të merret me qira sa herë që lind nevoja për t’i dhënë më shumë peshë një qëndrimi të ditës.

Po aq e habitshme është edhe dëshira për t’u bërë palë në një debat që po zhvillohet në Shqipëri. Protestat për projektet turistike në Zvërnec dhe Nartë janë një çështje që i përket para së gjithash qytetarëve që jetojnë atje. Janë ata që do të jetojnë me pasojat e këtyre projekteve, qofshin ato pozitive apo negative. Janë ata që kanë të drejtën të protestojnë nëse mendojnë se po cenohen interesat e tyre dhe po ata që kanë të drejtën t’i mbështesin projektet nëse besojnë se ato sjellin zhvillim.

Kjo është mënyra normale se si funksionon demokracia. Qytetarët protestojnë, qeveria argumenton, mediat raportojnë dhe publiku gjykon. Nuk ka asgjë të pazakontë në këtë proces dhe nuk ka nevojë që disa persona në Michigan të paraqiten si arbitra të një debati që zhvillohet në brigjet e Adriatikut.

Në deklaratë thuhet se Shqipëria ka nevojë për investime. Kjo është e vërtetë. Do të ishte e vështirë të gjeje një shqiptar që është kundër investimeve. Shqipëria ka nevojë për kapital, vende pune dhe zhvillim ekonomik.

Por protestuesit nuk po deklarojnë se janë kundër investimeve. Debati publik që po zhvillohet ka të bëjë me mënyrën se si realizohen këto investime, me transparencën, me procedurat ligjore, me konkurrencën dhe me ndikimin mjedisor. Këto janë pyetje legjitime në çdo demokraci dhe nuk marrin përgjigje duke i etiketuar kritikët si kundërshtarë të zhvillimit.

Po kështu, mbështetja për Donald Trump është e drejtë legjitime e kujtdo që jeton në Amerikë. Çdo qytetar ka të drejtë të mbështesë kandidatin apo presidentin që preferon. Por kjo është një zgjedhje personale dhe jo një detyrim komunitar.

Shqiptaro-amerikanët nuk janë të bashkuar rreth një politikani të vetëm amerikan. Ata janë të bashkuar rreth respektit për institucionet amerikane dhe për demokracinë amerikane, e cila funksionon pikërisht sepse njerëzit kanë të drejtë të mos mendojnë njësoj.

Për këtë arsye, pyetja mbetet ende pa përgjigje: kur Shoqata Vatra e Michiganit shpall se mbështet një projekt, një politikan apo një qëndrim të caktuar, a po flet në emër të anëtarëve të saj apo vetëm në emër të drejtuesve të saj?

Sepse këto janë dy gjëra krejt të ndryshme.

Dhe sa më shpejt të kuptohet ky dallim, aq më pak do të kemi deklarata që fillojnë me Nolin, vazhdojnë me Konicën dhe përfundojnë duke u treguar shqiptarëve, qoftë në Michigan apo në Shqipëri, se çfarë duhet të mendojnë.

Lini një koment