Friday, 19 June 2026
54°F Detroit
BallinaKomunitetiDiaspora shqiptare në Michigan organizon takim në mbështetje të protestave në Tiranë

Diaspora shqiptare në Michigan organizon takim në mbështetje të protestave në Tiranë

Aktiviteti do të mbahet të dielën, më 7 qershor, në orën 17:00, në Troy t

Një njoftim i shpërndarë gjerësisht gjatë orëve të fundit në rrjetet sociale po fton shqiptarët e shtetit të Michiganit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të marrin pjesë në një takim publik në mbështetje të protestave që po zhvillohen në Tiranë.

Sipas materialit promovues që qarkullon në Facebook dhe platforma të tjera sociale, aktiviteti është planifikuar të mbahet të dielën, më 7 qershor, në orën 17:00, në adresën 1451 E Big Beaver Road në Troy, Michigan.

Organizatorët e paraqesin aktivitetin si një “thirrje paqësore për unitet”, duke ftuar shqiptarët e Amerikës të angazhohen në diskutime dhe veprimtari qytetare në mbështetje të Shqipërisë. Në poster theksohet mesazhi “Takim Publik”, ndërsa përdoren simbolet kombëtare shqiptare dhe amerikane, duke vënë në dukje lidhjet mes diasporës shqiptare dhe vendit amë.

Në njoftim theksohet se “zëri ynë ka rëndësi, heshtja na kushton”, një slogan që duket se synon të inkurajojë pjesëmarrjen dhe angazhimin publik të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu, organizatorët e përshkruajnë aktivitetin si një takim informativ, diskutim dhe forum për angazhim qytetar.

Shpërndarja e këtij njoftimi vjen në një kohë kur protestat kundër projekteve turistike në zonën e Zvërnecit dhe Nartës kanë hyrë në ditët e tyre më intensive, duke mbledhur çdo mbrëmje mijëra qytetarë në rrugët e Tiranës. Mobilizimi i diasporës shqiptare në Michigan shihet si një përpjekje për ta shtrirë debatin përtej kufijve të Shqipërisë dhe për të përfshirë komunitetet shqiptare jashtë vendit në diskutimet mbi zhvillimet politike dhe shoqërore që po ndodhin në atdhe.

Mbetet për t’u parë se sa do të jetë pjesëmarrja në takimin e paralajmëruar, por vetë fakti që nisma po qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale tregon se protestat e ditëve të fundit kanë filluar të tërheqin vëmendjen edhe të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara.

Lini një koment