Një grua akuzohet për vrasjen e një diplomati amerikan në Yangon
Një grua tajlandeze u paraqit të enjten në një gjykatë në Mianmar për t’u përballur me akuza për vrasje lidhur me vdekjen e një diplomati amerikan në Yangon. Identiteti i saj nuk është bërë publik. Ajo akuzohet për vrasje dhe për shkelje të kodit të emigracionit që aplikohet ndaj shtetasve të huaj që kryejnë krime në Mianmar.
Siç raporton CBS News, diplomati u gjet i vdekur më 11 maj në Sakura Residence & Hotel, një objekt i preferuar nga diplomatët dhe vizitorët ndërkombëtarë, rreth një mile larg ambasadës amerikane. Ai kishte plagë nga një mjet i mprehët në kokë dhe qafë. Departamenti i Shtetit konfirmoi vdekjen, por nuk dha detaje të mëtejshme, përfshirë emrin e tij.
Avokatët që folën për rastin thanë se nuk dihet nëse e dyshuara dha deklaratë fajësie apo nëse pati mbrojtje ligjore gjatë seancës në Gjykatën e Njësisë Kamayut. Ata kërkuan të mbeteshin anonimë për të shmangur pasoja nga autoritetet e qeverisë ushtarake. Nëse shpallet fajtore për vrasje, ajo mund të përballet me dënimin nga 10 vjet burg deri te dënimi me vdekje.
Ushtria mori pushtetin në 2021, çka çoi në protesta masive dhe në një konflikt të gjërë të brendshëm, dhe autoritetet shpesh nuk japin deklarata për media. Policia që heton rastin, burgu ku besohet se mbahet e dyshuara dhe gjykata refuzuan të komentojnë. Qendra Mediatike e Departamentit për Azinë-Paqësorin i referoi pyetjet ambasadës amerikane në Mianmar, e cila ripërsëriti deklaratën e Departamentit të Shtetit dhe iu drejtua autoriteteve lokale. Ministria e Jashtme e Tajlandës tha se po jep ndihmë konsullore për gruan, por nuk dha informacion nëse kishte siguruar ndihmë ligjore dhe e referoi çështjen te ambasada e saj, e cila nuk komentoi.
Hetimet vazhdojnë ndërsa çështja pritet të shkojë më tej në gjykatë; Sipas CBS News, autoritetet po e trajtojnë rastin me diskrecion dhe nuk kanë dhënë detaje shtesë.