Diaspora që nuk arrin të bëjë bashkë as një protestë

Është e njohur vërejtja se shqiptari është gati të bashkohet me çdo shqiptar, me kusht që të jetë vetë kryetar. Kjo m’u kujtua kur lexova dy njoftime për dy protesta për të njëjtin subjekt dhe me të njëjtin qëllim.
Njëri në Troy, tjetri në Mount Clemens. Të dy në mbështetje të protestave në Shqipëri. Të dy me të njëjtin mesazh. Të dy me thirrje për pjesëmarrje.
Nuk ka asgjë të pazakontë që njerëz të ndryshëm të organizojnë aktivitete të ndryshme. E pazakonta është që një komunitet që flet vazhdimisht për bashkim nuk arrin të organizojë një aktivitet të përbashkët, as kur qëllimi është i njëjtë.
Në Michigan jetojnë mijëra shqiptarë. Ka mjaftueshëm njerëz për një tubim të vetëm dhe mjaftueshëm energji për një zë të përbashkët. Megjithatë, edhe kur tema është e përbashkët, organizimi ndahet në grupe të veçanta.
Rezultati është i njohur. Pjesëmarrja shpërndahet, mesazhi dobësohet dhe vëmendja kalon nga kauza te organizatorët.
Më domethënëse është se kjo nuk duket të jetë një rast i kaluar. Nuk nxirren mësime dhe e njëjta gjë përsëritet. Për ditët në vijim janë paralajmëruar përsëri aktivitete të ndara, për të njëjtin qëllim dhe nga njerëz që deklarojnë se kërkojnë të njëjtën gjë.
Duket sikur debati i pashprehur është gjithmonë i njëjtë: kush do të jetë në krye.
Kjo shpjegon pse komuniteti shqiptar shpesh arrin të prodhojë më shumë organizata sesa aktivitete që rezultojnë me më shumë organizatorë dhe pak pjesëmarrës.
Ky rast i tanishëm është edhe pak qesharak. Të dy palët kanë rënë dakord për problemin, por kanë shumë vështirësi të bien dakord për një adresë të vetme ku ta diskutojnë atë.
