Saturday, 20 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperia“Disa vdesin për bukën e gojës!”/ Pensionisti në protestën e 18-të: Pensioni s’na del as për ilaçe, Shqipëria po shitet

“Disa vdesin për bukën e gojës!”/ Pensionisti në protestën e 18-të: Pensioni s’na del as për ilaçe, Shqipëria po shitet

Ai tha se pensionet janë të pamjaftueshme për të mbuluar nevojat bazë, ndërsa theksoi se një pjesë e madhe e të moshuarve detyrohen të zgjedhin mes blerjes së ilaçeve dhe përballimit të faturave mujore.

“Pensionistët, në radhë të parë, po vuajnë për bukën e gojës. Një pjesë e mirë nuk marrin më shumë se 100 mijë lekë të vjetra në muaj. Ku do t’i përdorin ato? Për ilaçe, për qira, për ujë, për drita”, u shpreh ai.

Sipas pensionistit, protesta nuk lidhet vetëm me çështjen e Zvërnecit dhe Sazanit, por me pakënaqësinë e përgjithshme ndaj mënyrës së qeverisjes dhe administrimit të pasurive të vendit.

“Ne këtu nuk protestojmë vetëm për Zvërnecin dhe Sazanin, por për çdo skaj të Shqipërisë që po shitet dhe paratë nuk i përfiton populli, por ky i gjati, dy metroshi, me klanin e vet”, deklaroi ai.

I moshuari tha se edhe brezi i pensionistëve i është bashkuar protestave për të mbështetur kërkesat e qytetarëve, duke shtuar se, sipas tij, prej 35 vitesh qytetarët janë përballur me premtime të pambajtura, korrupsion dhe keqqeverisje.

“Edhe ne, si më të moshuar, jemi përpjekur t’ju ndjekim nga pas dhe t’ju mbështesim. Unë flas në emër të pensionistëve, asaj shtrese që ka vuajtur si në atë regjim, edhe në këtë. Ka 35 vite që vetëm na mashtrojnë, na vjedhin dhe korruptojnë”, tha ai.

Në përfundim, pensionisti u bëri thirrje qytetarëve që të vazhdojnë pjesëmarrjen në protestat e përditshme, duke kërkuar që sheshi të mbushet çdo mbrëmje me sa më shumë pjesëmarrës.

Lini një koment