Friday, 19 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaGonxhja për protestuesit: Vetëm unë kam 25 mijë mbështetës, zgjidhjet duhen kërkuar me mjete demokratike

Gonxhja për protestuesit: Vetëm unë kam 25 mijë mbështetës, zgjidhjet duhen kërkuar me mjete demokratike

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, deklaroi se duhet një zgjidhje politike për të adresuar kërkesat e protestuesve, pasi, sipas tij, nuk është e mjaftueshme të dalin 30 mijë persona në shesh dhe të kërkojnë largimin e kastës politike.

Më tej, në studion e “Puls” nga Bruna Çifligu në A2CNN, Gonxhja theksoi se vetëm ai si deputet ka rreth 25 mijë mbështetës.

“Nuk dua ta ndot protestën, por është ky kontaminim në kuptimin e përgjithshëm, kjo zhbërje nga pikëpamja e vlerësimit dhe nga pikëpamja e një objektiviteti që ka munguar, e të gjithë politikës, ka bërë që të gjithë ta kenë akoma dhe më të lehtë që të besojnë që këtu nuk ka asnjë vlerë, këtu nuk ka asnjë progres, këtu nuk ka asnjë arritje. Por, kjo është e pamundur. Sot dalin 2000, 3 000 apo 30 000 veta. Dilkemi në rrugë dhe themi: “E di si është puna? Nuk ju duam më fare, ikni ju se do vijmë ne! Ose ikni ju se nuk duam as ju dhe nuk duam askënd. Nuk e dimë as kush do vijë. Por, zhdukuni ju! Por, çfarë do ndodhë nesër? Domethënë, nesër i lind e drejta çdokujt nga ne ose çdokujt tjetër që pas katër javësh të ngrihet prapë? Cili është standardi që po vendoset? Na lind e drejta të gjithëve të dalim me 20 000 veta në shesh dhe të themi “zhdukuni tani”. Vetëm unë kam një mbështetje mbi 24 500 votues. Ndoshta disa prej tyre mund të mendojnë jo si unë në këtë moment? Mundet. Mund të ketë protestues sot të cilët mund të kenë qenë edhe votues të mi dhe i respektoj shumë ata që mund të jenë protestues sot dhe mund të kenë qenë votues të mi sepse janë nga më të mirët sa i takon pritshmërive, nëse janë te pjesa e pastër e protestës. Por, po ju flet një person që si deputet kam rreth 25 000 mbështetës. Pra, duhet të kuptojmë një gjë, që sado që mund të dalim në shesh, edhe sado shprehje e vullnetit të jetë me një proporcion, ata nuk mund të jenë të gjithë në shesh”, tha Gonxhja.

“Ne e kuptojmë shumë mirë që ka edhe protestues të cilët janë në shtëpi dhe mendojnë ndoshta njësoj si kjo protestë dhe ne e respektojmë patjetër edhe mendimin e tyre, por ata që dalin në shesh duhet të kuptojnë që duhet të krijojmë një standard demokratik. Ne kemi zgjedhur që të jemi pjesë e një sistemi demokratik. Nëse ka diçka që nuk shkon në këtë sistem, duhet ta zgjidhim me mjete demokratike. Duhet të shkojmë drejt një zgjidhje e cila është politike. Kjo zgjidhje vjen me një kulturë, me një sistem i cili është ky që kemi zgjedhur. Nuk mundet papritur një pjesë, sado e irrituar, të dalë e të thotë zhdukuni të gjithë sepse ne akoma nuk e kemi vendosur çfarë duam, po ju do zhdukeni të gjithë një herë për një herë”, shtoi Gonxhja.

Lini një koment