Friday, 19 June 2026
54°F Detroit
BallinaKosova​KPK: Gjilani prin me trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike, Prizreni e Gjakova me aktakuza

​KPK: Gjilani prin me trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike, Prizreni e Gjakova me aktakuza

Prokuroria Themelore në Gjilan priu gjatë vitit 2025 në trajtimin e kallëzimeve penale për korrupsion dhe krime ekonomike, ndërsa Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka pasur numrin më të ulët të zgjidhjes së këtyre rasteve.

Në rastet e korrupsionit, Prokuroria e Prizrenit priu me ngritjen e aktakuzave, kurse për krime ekonomike prin Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Ndërkaq Prokuroria Themelore në Pejë shumicën e rasteve i ka hedhje të kallëzimeve penale dhe pushime të hetimeve dhe Prokuroria Speciale në rastet e krimeve të organizuara, të gjitha ato i ka hedhje të kallëzimeve penale dhe pushime të hetimeve.

Kështu u tha gjatë mbledhjes së Këshillit Prokurorial të Kosovës, ku u shpalos raporti vjetor i Komisionit ‘ad hoc’ mbikëqyrës për planin strategjik dhe të veprimit për luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike për vitin 2025, raporton KosovaPress.

Anëtarja e KPK-së, Elza Bajrami Kastrati, tha se gjatë vitit 2025, shumica e kallëzimeve penale për veprat penale të korrupsionit janë parashtruar nga qytetarët, policia, organet publike dhe prokuroria me vetiniciativë.

Sipas saj, viti 2025 ka nisur me 708 raste të korrupsionit, janë pranuar 677 raste të reja, ndërsa janë proceduar 529 raste. Për trajtim kanë mbetur 1 mijë raste.

Sa i përket vendimeve të gjykatave, ajo tha se në shumicën e rasteve ka aktgjykime dënuese.

“Sa i përket punës së prokurorive gjatë vitit 2025 në lidhje me veprat penale të korrupsionit, shumicën e kallëzimeve penale e kanë parashtruar qytetarët, policia, organet publike dhe prokuroria me vet iniciativë. Mënyrat e trajtimit, viti 2025 ka filluar me 708 raste, janë pranuar 677 dhe janë proceduar 529 raste, 1 mijë kanë mbetur. Prej të gjitha prokurorive, Prokuroria Themelore e Gjilanit prinë me trajtimin e kallëzimeve penale 67 përqind, ndërsa Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka numrin më të ulët të zgjidhjes së kallëzimeve penale. Prokuroria e Prizrenit prinë me ngritjen e aktakuzave, sepse të gjitha rastet e korrupsionit kanë përfunduar me ngritje të aktakuzave, ndërkaq Prokuroria Themelore në Pejë ka numërim më të ulët të aktakuzave e shumicën e rasteve i ka hedhje të kallëzimeve penale dhe pushime të hetimeve. Sa i përket vendimeve të gjykatës, në lidhje me këto vepra penale, në shumicën e rasteve kemi aktgjykime dënuese, me përjashtim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë ku përqindja dallon me aktgjykime dënuese dhe liruese”, tha Bajrami.

Në pjesën e krimeve ekonomike, Bajrami Kastrati tha se viti 2025 ka nisur me 507 lëndë, janë pranuar 345, janë proceduar 279, ndërsa për vitin 2026 kanë mbetur 696 raste për trajtim.

Ajo tha se Prokuroria Themelore në Gjilan ka proceduar numrin më të madh të kallëzimeve penale për krime ekonomike, ndërsa Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka pasur numrin më të vogël. Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Gjakovë prin me ngritjen e aktakuzave për krime ekonomike.

“Sa i përket krimeve ekonomike edhe këtu rezulton që shumica e kallëzimeve penale vijnë nga policia, qytetarët pastaj nga organet publike dhe prokuroria. Viti 2025 ka filluar me 507 lëndë, janë pranuar 345, proceduar 279 dhe kanë mbetur për trajtim 696 raste për 2026. Prokuroria Themelore në Gjilan, është ajo që ka proceduar numërimin më të madh të kallëzimeve penale që i referohen krimeve ekonomike, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, edhe këtu ka numrin më të vogël. Sa i përket mënyrës së procedimit, Prokuroria Themelore në Gjakovë prinë me ngritjen e aktakuzave, ndërkaq në Mitrovicë dhe Prokuroria Speciale, të gjitha rastet i kanë hedhje të kallëzimeve penale dhe pushime të hetimeve. Sa i përket vendimeve të gjykatës 90 përqind të rasteve kanë përfunduar me aktgjykime dënuese”, tha ajo.

Anëtari i KPK-së, Visar Krasniqi, tha se raporti paraqet gjendje shqetësuese, sidomos sa i përket përqindjes së lartë të hedhjeve të kallëzimeve penale dhe pushimit të hetimeve në Prokurorinë Speciale dhe në Prokurorinë Themelore në Pejë.

“Në faqe 10 pasqyrohet një gjendje shumë alarmante që ndër vite është shqetësim. Prokuroria Themelore në Prizren prinë me numrin e aktakuzave të ngritura. Kurse Prokuroria Speciale dhe e Pejës, mbesin në numrin më të vogël. Nëse i shohim në përqindje 86 për qind janë hedhje dhe pushim, është shifër shumë e lartë nga ana e Prokurorisë Speciale e në Prokurorinë Themelore në Pejë janë 89 për qind. Vërtetë është një përqindje shumë e lartë dhe raportet që i kemi trajtuar dhe ky raport do na shërbej si një raport që do të ballafaqohemi me kryeprokurorët”, tha Krasniqi.

Ndërsa kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, tha se një pjesë e madhe e rasteve që përfundojnë me hedhje të kallëzimeve penale apo pushim të hetimeve vijnë nga kallëzime anonime apo informata, të cilat prokurorët janë të obliguar t’i trajtojnë.

“Arsyeja pse ka hedhje të kallëzimeve penale dhe pushime, është fakti se një pjesë e madhe e këtyre rasteve vijnë në sistem prokurorial nëpërmes kallëzimeve penale anonime apo informata, prandaj është obligim i secilit prokurorë që ta trajtoj, ta ketë një hetim preliminar, për të verifikuar nëse ato pretendime qëndrojnë apo jo”, tha Gashi. /Kp/

Lini një koment