Friday, 19 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaKuvendi miraton Planin Strategjik 2026–2030, dokumenti i ri përcakton prioritetet e pesë viteve të ardhshme

Kuvendi miraton Planin Strategjik 2026–2030, dokumenti i ri përcakton prioritetet e pesë viteve të ardhshme

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në seancë plenare projektvendimin “Për miratimin e Planit Strategjik të Kuvendit të Shqipërisë 2026–2030”. Dokumenti mori një mbështetje unanime prej 82 votash pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim nga deputetët e pranishëm në sallë.

Ky dokument vjen si strategjia e dytë e këtij lloji për institucionin legjislativ, pas një procesi hartimi të realizuar nga Administrata e Kuvendit me mbështetjen e prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Plani i ri Strategjik ka si synim kryesor përcaktimin e prioriteteve të institucionit për pesë vitet e ardhshme, duke synuar konsolidimin e një parlamenti modern, transparent dhe gjithëpërfshirës. Sipas projektvendimit të miratuar dokumenti “përcakton vizionin, objektivat dhe prioritetet strategjike të institucionit për pesë vitet e ardhshme, me synim rritjen e efektivitetit të veprimtarisë parlamentare dhe konsolidimin e një Kuvendi modern, transparent dhe gjithëpërfshirës.”

Në mënyrë të veçantë, strategjia synon të rrisë rolin e Kuvendit në dy shtylla kryesore: në forcimin e institucioneve demokratike në vend dhe në avancimin e mëtejshëm të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.

Struktura e dokumentit, 7 fusha prioritare dhe 29 objektivë

Struktura e Planit Strategjik 2026–2030 është e ndarë sipas funksioneve bazë të parlamentit, duke u shtrirë në shtatë fusha prioritare dhe duke specifikuar gjithsej 29 objektiva strategjikë.

Zbatimi i këtij plani ndan objektivat sipas fushave specifike të veprimtarisë parlamentare:

Funksioni ligjvënës, parashikohen 5 objektiva për forcimin e këtij funksioni.

Funksioni mbikëqyrës përfshihen 4 objektiva për rritjen e efektivitetit të kontrollit parlamentar.

Funksioni zgjedhës përcaktohen 2 objektiva për ushtrimin e tij.

Integrimi Evropian parashikohen 5 objektiva për forcimin e rolit të Kuvendit në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian.

Diplomacia parlamentare përfshihen 4 objektiva specifikë.

Transparenca dhe qytetarët janë 5 objektiva të dedikuar për rritjen e transparencës, pjesëmarrjes dhe edukimit qytetar.

Infrastruktura dhe burimet njerëzore përcaktohen 4 objektiva për përmirësimin e kuadrit rregullator, zhvillimin e burimeve njerëzore dhe modernizimin e infrastrukturës fizike dhe digjitale.

Pas miratimit në seancë plenare, ky plan do të shërbejë si udhërrëfyesi zyrtar institucional për ecurinë dhe reformimin e brendshëm të Kuvendit të Shqipërisë deri në vitin 2030.

Lini një koment