Saturday, 20 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaÇfarë mund të presësh nga një klasë politike që punon t’i sigurojë favore vetes?

Çfarë mund të presësh nga një klasë politike që punon t’i sigurojë favore vetes?

Nga THOMA GËLLÇI

Jam kurioz të di se përse në Shqipëri paga e një deputeti është afërsisht pesë herë më e lartë se paga e një mësuesi. Vras mendjen nëse ka ndonjë logjikë që lidhet me shkallën e vështirësisë së punës apo me rëndësinë e saj, por nuk arrij t’i jap një përgjigje.

Edhe më skandaloz bëhet ky dallim nëse krahasojmë pensionin e një personi që ka qenë deputet me pensionin e një mësuesi. Në bazë të një ligji të miratuar nga vetë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, ata jo vetëm ia rritën pagën vetes, por krijuan edhe një skemë pensioni suplementar, pa u mbështetur në kontributet e paguara, por duke i dhënë vetes një privilegj të veçantë.

Pas rritjeve të fundit, një deputet përfiton një pagë bazë prej rreth 310 mijë lekësh. Kur kësaj i shtohen dietat, pagesat për karburant dhe përfitime të tjera, të ardhurat mujore kalojnë lehtësisht 450 mijë lekët. Nëse llogarisim edhe pagesën e qirasë së banesës për deputetët që nuk janë banorë të Tiranës, të ardhurat mujore mund të arrijnë deri në 600 mijë lekë të reja. Ndërkohë, paga mesatare bruto e një mësuesi është rreth 95 mijë lekë.

E dini se një deputet që ka shërbyer disa legjislatura mund të marrë një pension suplementar deri në 75 për qind të pagës së deputetëve aktualë, përveç pensionit normal? E thënë ndryshe, një mësues me 35-40 vjet punë merr një pension rreth 400 euro, ndërsa një deputet merr, përveç pensionit të zakonshëm që mund të jetë rreth 600 euro, edhe një pension suplementar prej rreth 2.000 eurosh.

Pyetja më e thjeshtë që të vjen ndër mend është: si ka mundësi? Si ka mundësi që një grusht njerëzish i kanë siguruar vetes një trajtim kaq të diferencuar nga pjesa tjetër e shoqërisë?

Një krahasim mes shtetit të Miçiganit në Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërisë nxjerr në pah një ndryshim të madh. Miçigani ka rreth 10 milionë banorë dhe një ekonomi shumë herë më të madhe se Shqipëria. Buxheti i shtetit të Miçiganit është rreth 88 miliardë dollarë, ndërsa buxheti i shtetit shqiptar është rreth 8 miliardë dollarë.

Ndërsa Miçigani nuk ka as ushtri, as politikë të jashtme dhe as shërbime sekrete për të financuar, Shqipëria ka rreth 2.5 milionë banorë, burime shumë më të kufizuara dhe është e detyruar të financojë mbrojtjen, politikën e jashtme dhe një sërë shërbimesh shtetërore. Megjithatë, pikërisht vendi më i pasur mban një raport shumë më të drejtë mes pagës së deputetit dhe pagës së mësuesit.

Në Miçigan, një deputet paguhet rreth 71.000 dollarë në vit. Një mësues i shkollave publike merr mesatarisht rreth 69.000 dollarë në vit. Diferenca është shumë e vogël. Praktikisht, mësuesi dhe deputeti trajtohen pothuajse njësoj nga ana ekonomike.

Pse  ne Shqiperi një mësues, që punon çdo ditë me fëmijët dhe të rinjtë, vlerësohet kaq pak në krahasim me një deputet? A është puna e deputetit pesë herë më e rëndësishme? Apo politika jonë i ka sjellë aq shumë të mira vendit, sa meriton të shpërblehet shumë më tepër se arsimi?

Në Miçigan, deputetët e zgjedhur pas vitit 1997 nuk përfitojnë fare pension shtetëror. Jo vetëm kaq, por askujt nuk i shkon ndër mend të miratojë për veten një pension suplementar si ai që ekziston në Shqipëri, i cili në shumë raste e çon pensionin mbi pagën aktuale të një deputeti. Ata kanë të njëjtin sistem kursimesh për pension si miliona punonjës të tjerë. Ndërkohë, mësuesit vazhdojnë të kenë një pension të garantuar nga shteti pas një karriere të gjatë. Sistemi zgjedh të mbrojë mësuesin, jo politikanin.

Edhe kufizimi i mandateve shkon në të njëjtin drejtim. Në Miçigan, askush nuk mund të qëndrojë në parlament më shumë se 12 vjet. Politika konsiderohet një shërbim i përkohshëm dhe jo një profesion për gjithë jetën.

Nëse ka dikush, deputet apo ish-deputet, qee konsideron këtë të drejtë, le të dalë publikisht dhe të japë shpjegimet e tij.

Shikoni se çfarë ndodhi në Hungari pas ndryshimit të pushtetit. Qeveria e re jo vetëm vendosi kufizime për mandatet e kryeministrit, por ndërmori edhe masa për uljen e privilegjeve të deputetëve dhe funksionarëve të lartë, të cilat kishin shërbyer si mbështetje për pushtetin autoritar të deritanishëm. Pagat e deputetëve u ulën me 40 për qind. Paga e kryeministrit u përgjysmua. U ulën pagat e ministrave, u hoqën rimbursimet për telefonat dhe u kufizuan fondet për karburant, zyra dhe shpenzime të tjera. Qeveria e paraqiti këtë si një masë për të ulur privilegjet politike dhe për të kursyer fondet publike.

Dakordësia e pashembullt midis pozitës dhe opozitës për t’i bërë favore vetes tregon qartë vetëm një gjë: kalbësinë e këtij sistemi politik, të cilit protesta e Tiranës ka vendosur t’i japë fund. Regjimet autoritariste e përdorin këtë mekanizëm për t’i dhënë stabilitet dhe jetëgjatësi vetes. Prandaj parlamentarët shqiptarë, të vjetër e të rinj, të pavotuar drejtpërdrejt, por të caktuar dhe emëruar në lista, shndërrohen në kolltukofagë.

Ja çfarë shkruante Fan Noli për kolltukofagët:

“Kolltukofagët janë krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infliktuara të Shqipërisë në lëngim; këpusha që mund t’i copëtosh, po jo t’i çqitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë.

Herodoti na tregon se në betejën navale të Salaminës, një athinas kapi një anije persiane me dorën e djathtë dhe nuk e lëshoi derisa ia prenë; atëherë e kapi me dorën e majtë; ia prenë edhe atë; pastaj e kapi me dhëmbë dhe nuk e lëshoi derisa ia prenë kokën.

Sikur të ngjallej Herodoti përsëri, do të shikonte se kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i Greqisë së lashtë. Që t’i shkëputësh nga kolltuku duhet t’u presësh jo vetëm duart e kokën, por edhe këmbët e trupin.”

Lini një koment