Saturday, 20 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaRama nxjerr rastin e ndërtimit pa leje brenda Kalasë së Durrësit: Pronarja, një protestuese e përbetuar për mbrojtjen e mjedisit

Rama nxjerr rastin e ndërtimit pa leje brenda Kalasë së Durrësit: Pronarja, një protestuese e përbetuar për mbrojtjen e mjedisit

Kryeministri Edi Rama ka reaguar duke publikuar një shtesë banimi të ndërtuar pa leje brenda mureve të Kalasë së Durrësit.

Përmes një postimi në Facebook, Rama ka shpërndarë fotografitë e objektit dhe ka deklaruar se shteti do të vazhdojë me shpronësimin e tij në kuadrin e projektit të miratuar për pastrimin dhe rilindjen e zonës historike.

Sipas kryeministrit Ramna, pronarja e objektit ka ndërtuar pa leje brenda monumentit të mbrojtur kulturor dhe njëkohësisht ka protestuar kundër masës së shpronësimit, duke bërë thirrje publike për protesta, përfshirë edhe nga diaspora.

“Majtas: Një shtesë skandaloze pa leje brenda mureve të kalasë së Durrësit. Shteti do ta shpronësojë në kuadrin e pastrimeve për Rilindjen e Zonës Historike, sipas projektit të miratuar. Djathtas: Një protestuese e përbetuar për mbrojtjen e mjedisit që bërtet, “Diaspora këtë vit nuk do të vijë për pushime, por për protestë”.

Ajo është vetë ndërtuesja e shtesës pa leje, e cila ka deklaruar përpara meje se do hidhet me kokë nga tarraca, po nuk e pranon fondin e shpronësimit të atij çibani ngaqë i duket pak!”, shkruan Edi Rama.

Rama thekson më tej se “pikërisht kështu funksionon algoritmi i manipulimit në rrjetet sociale: Një shkelëse e ligjit, qëndrestare kundër pastrimit të trashëgimisë kulturore nga çibanët e ndërtuar pa leje vishet me flamurin e interesit publik, ve kujën për atdheun në rrezik dhe kthehet në heroinë”

Rama e cilëson rastin si shembull të ndërtimeve informale që dëmtojnë trashëgiminë kulturore dhe thekson se do të zbatohet ligji për lirimin e zonës historike.

“Fakti pastaj që ky personazh grotesk është edhe militante e vajmedet Partisë Demokratike, e fut rastin në një kornizë shembullore të dashurisë për natyrën”, nënvizon Edi Rama.

Lini një koment