Saturday, 20 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaProtestuesit qëndrojnë në shesh, pritet ta gdhijnë para Kryeministrisë. Marshime edhe në rrugët e Tiranës

Protestuesit qëndrojnë në shesh, pritet ta gdhijnë para Kryeministrisë. Marshime edhe në rrugët e Tiranës

Prej gati 5 orësh protestuesit po vijojnë protestën para Kryeministrisë. Qytetarë të shumtë vijojnë të jenë të mbledhur para Kryeministrisë ndërsa grupe të tjera të qytetarëve gjithashtu po marshojnë në rrugët e Tiranës.

Edhe pse prej disa orësh vijojnë protestën, ata janë energjik teksa i bien daulleve e bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

“Revolucion”, “Dorëheqje”, “Ju erdhi fundi”, dëgjohen teksa brohorasin njëzëri. Në sfond gjithashtu dëgjohen boritë e makinave, fishkëllima e bilbila duke e elektrizuar edhe më tej atmosferën.

Ata insistojnë e bëjnë thirrje që të protestojnë deri në orët e para të mëngjesit teksa këtë të shtunë në ditën e 21-të të protestës u janë bashkuar edhe emigrantët nga Anglia dhe vendet e tjera të Evropës.

“Diaspora do ta gdhijë në shesh”, u shprehën protestuesit.

Shumë prej tyre janë ulur në shkallët e Kryeministrisë dhe në bulevard. Pas marshimit, pritet që protestuesit t’iu bashkohen sërish protestuesve që ndodhen para Kryeministrisë.

Lini një koment